Nga Mero Baze
Për të kuptuar çfarë i ka bërë “Gërdeci” PD-së, dhjetë vjetë më parë dhe ç’po bën PD me njerëzit e “Gërdecit” sot, po ju vizatoj 15 marsin e dhjetë viteve më parë dhe këtë të sotmin.
***
Kur Delijorgji u shfaq në sheshin qëndror të Vorës, pak pas mesditës së 15 marsit, disa orë pas shpërthimit, me një fytyrë të shpartalluar dhe një e qeshur e vjetër si fosil në fytyrë, që dukej i kish ngrirë nga tmerri, isha shumë kurjoz se çfarë do bënte.
Berisha kishte folur ndërkohë dhe gjëja e parë që kishte raportuar ishin tre të vdekurit e parë, mes të cilëve dhe baxhanaku i tij, të cilit ai ja ndërroi emrin nga Muhamet Hoxha në Mehmet Hoxha kur e lexoi. Ai ishte dëshmitari më i frikshëm i korrupsionit në atë histori. Dhe ishte i frikshëm se kishte vdekur. Po të ishte gjallë nuk do merrej vesh.
Delijorgji filloi të merrte zemër dhe po jepte një intervistë për “Klan”-in nga studjoja lëvizëse në Vorë. Sapo mbaroi intervistën, dy policë ju afruan dhe i kërkuan të dinin kush ishte. Pastaj i hodhën prangat.
Fatmir Mediu u shfaq në Tv ashtu i pamposhtur në lehtësinë e papërballueshme të tij, dhe një lumë fjalësh që nuk kishin asnjë kuptim, la të kuptohej se një kompani amerikane po bënte diçka për ushtrinë tonë dhe i ndodhi një aksident. Madje nuk e vrau mendjen fare, po i “ngatërroi” dhe emrin kompanisë dhe e identifikoi me një kompni që po bënte zbërthimin e lëndëve helmuese në kuadrin e një projekit amerikan që nuk kishin punë fare aty.
Kur filluam të depërtojmë në fushën e minuar mbushur me viktima, ishte një tmerr. Heronjtë e asaj dite ishin mjekët dhe ushtarakët që nxirrnin kufoma. Ulërima ngjethëse e nënës së Edison Durdës ishte sfondi më i kobshëm i atij filmi makabër të prodhuar nga lakmia për para në emër të pushtetit.
Ishte diçka që kisha disa muaj që po ndiqja si gazetar dhe befas shpertheu para syve të mi, duke djegur çdo etapë.
Në fillim të vitit 2008, në një shkëmbim e-mailesh, Chris Chivers, Shef i zyrës së i “New York Times” në Moskë, më kërkonte të dinte se çfarë po ndodhte me paketimin e muncioneve në afërsi të Riansit, dhe sa i përfshirë ishte djali kryeministrit. Unë që nuk e dija historinë e ripaketimit në atë kohë, përveç atyre çfarë thoshte Kosta Trebicka lart e poshtë, mendova se e kishte fjalën për këtë që po bëhej në Gërdec dhe i përktheva dy ditë gjithë vendimet e qeverisë dhe ja shpjegova në email.
Isha lodhur kot.
-Kjo qenka interesante, por po të pyes për diçka tjetër, për ripaketim fishekësh dhe dërgim në Afganistan.
Biznesmeni amerikan i kishte thënë se djali i kryeministrit u sillej nëpër këmbë dhe po u impononte çmime dhe njerëz për punë.
Atëhere arrita ti bashkoj të dy histotritë që nisnin me historinë e një gazetari amerikan që kishte ardhur ndërkohë në Tiranë dhe Fatmir Mediu i kishte sekuestruar kasetën me letrat se si njerëzit e Delijorgjit me ndihmën e Shkëlzenit dhe Fariut, po bënin “një punë” në Gërdec, historinë se si Shkëlzeni kishte lobuar një vit më parë që kontrata të bëhej me vendim qeverie, si Ilir Rusmali e kishte penguar dhe kishte sugjeruar ta bënte Ministria e Mbrojtjes, si i qe bashkuar dhe Ritvan Bodja, si shante lart e poshtë Rusmalin Shkëlzeni që “s’po i mbaronte një punë në Vorë”, etj.
Pra ishin dy histori që i bashkonte i njëjti grup, Grupi i Shkëlzenit. Në një anë ishte biznesi i Delijorgjit, i cili për ta ndërtuar kishte bërë ortak vajzën e Fariut dhe për ta demontuar kishte njerëzit e Shkëlzenit, burrin e tezes së tij (Baxhanaku i Berishës) kushërinjtë e Rrahmanit etj.
I njëjti grup ndërkohë kishte filluar të spostonte nga biznesi i paketimit të fishekëve për Afganistan Kosta Trebickën dhe po përpiqeshin ta bënin ata atë punë. Ndoshta ngaqë nuk donin njeri nëpër këmbë.
Ishte aq e vështirë t’i ndaje këto dy gjëra në opinion.
Dhjetë ditë më vonë “New York Times” botoi historinë tronditëse, nënshkruar nga 7 gazetarë mes të cilëve dhe Chivers, që tregonte historinë e korrupsionit me ripaketimin e fishekëve kinezë duke i shtuar si hyrje dhe shperthimin tronditës në Gërdec. Sali Berisha ja ktheu përgjigjen në çast, duke e quajtur “letër higjenike”
…
Dhjetë vjet më pas mungojnë nga kjo skenë vetëm ata që vdiqën atë ditë. Sali Berisha vazhdon të jetë në parlament, dhe nuk lë nënë, motër, të afërm, e farefis të çdo kundërshtari pa marrë nëpër gojë për ti shpëtuar ndëshkimit nga drejtësia dhe për ti bërë pis të gjithë, meqë ai ka zhytur duart në gjak.
Shkëlzenin e pashë të qetë me një “Benz” tek futej tek pallati luksoz tek Liqeni Artificial i patrazuar nga kujtimi i dhjetë viteve më parë kur vrau mes 26 të tjerëve dhe burrin e tezes, në biznesin e tij, në përgatitje të dasmës së re.
Fatmir Mediun e pashë të fliste për varfërinë dhe nevojën që të kemi një qeveri të ndershme, duke mos harruar të ankohet se drejtësia tek ne nuk ka bërë punën e saj. Biles ka vërejtje dhe pse ia kanë ndërprerë hetimin për “Gërdecin” jashtë dëshirës së tij.
Mihal Delijorgji ka vënë mend dhe po i bën më serioze ndërtesat e reja. Këto pallatet e fundit për shembull i ka shumë cilësore dhe nuk kanë rrezik shembjeje. Bile dhe taksat i paguan në rregull. Nuk do më ndere nga shteti.
Në Partinë Demokratike kanë mbetur vetëm ata të cilëve “Gërdeci” ju bë fat. Aldo Bumçi, për shembull, është aty edhe pse është i padobishëm. Fakti që ai i ka çuar një kopje te “Memo”-s “për dijeni Shkëlzen Berishës” që ta ishte i sigurt që ja firmosi letrën që i kërkoi, i është kthyer në hiptoke për gjithë jetën.
Është në PD dhe Alibeaj, i cili ka asistuar Shkëlzenin dhe miqtë e tij për procedurat se si ta bënin kontratën që bëri gjëmën. Dhe atij i njihet kontributi që ka për “Gërdecin”.
Starzimri është po aty. Reflektoi menjëherë kur e pa çfarë i gjeti ata që u distancuan nga “Gërdeci” brenda PD dhe Shkëlzenit nuk i thotë më “krriç”, siç i thoshte atë ditë i nervozuar pse shpërtheu depoja.
Fariu nuk ka bërë dot vajzën deputete edhe pse është shumë më e aftë se djali se së paku ka mbaruar shkollën. Frika se i kujtojnë faktin që ka qenë ortake me Delijorgjin 16 vjeçe, e ka detyruar të caktojë djalin deputet. Dhe ai ka arritur ti ruajë kapitalet e “Gërdecit” në PD.
Të tjerët nuk janë më në PD. Sali Berisha nuk u ka ndonjë borxh, dhe nuk ia imponon dot Lulit t’i mbajë me çdo kusht. Përveç atyre që i janë gjendur në krah atë ditë. Ndaj nuk mund të flitet më për PD, por vetëm për fraksionin e “Gërdecit” në partinë e Lulit.
E vetmja vlerë që ka ajo parti tani është të shërbejë si studio ligjore për krimet e bëra. Dhe në këtë kuadër ajo ka detyrime vetëm për klientët e krimit. Të tjerët të shikojnë punën e tyre.
Përballë këtij grushti njerëzish që po mbrohen politikisht dhe po e përdorin PD si studio ligjore, është sfida reale e drejtësisë shqiptare. Shumë vetë janë skeptikë se ajo do t’ia dalë. E pashë sot tek një status i dëshpëruar i vëllait të Edison Durdës, vrarë duke luajtur me biçikletë. Ai i kujtonte Berishës se do ta vendoste drejtësinë për vëllain qoftë dhe si “malësorë”. Siç ka qejf të mburret Berisha.