Ndarja nga jeta e gazetarit dhe publicistit Nebil Çika ka lënë të shokuar familjarët dhe miqtë e njeriut aktiv, që gjithë jetën ia kushtoi kauzës së ish-të përndjekurve politikë.
Kandidati për Bashkinë e Tiranës, nga PD, Roland Bejko zbulon dhe komunikimin e fundit që ka pasur me të ndjerin, ndërkohë që lajmin e ka marrë vesh vetëm sot nga familjarët e Çikës.
Postimi i Bejkos:
Ora 17 55
-Fole?-Më pyet Nebili në Whatsapp.
Ora 17 57
– Fola, e lamë të takohemi prapë nesër, i thash.
Ora 18 16
-Ok,- më përgjigjet Nebili.
Stop!
Ky është komunikimi i fundit në këtë jetë me Nebil Çikën.
Sa hap sytë në mëngjes, kap celularin dhe lexoj lajmin e familjarëve të tij, se qysh prej disa orëve më parë, Nebili, nuk është më në këtë jetë.
Kaq është jeta!
Shaka e madhe?
Të dashur miq.
Sot unë humba mikun dhe bashkëpuntorin tim të çmuar, aktivistin dhe publicistin e talentuar antikomunistin dhe demokratin e vendosur, Nebil Çika. Familja, humbi njeriun e saj të dashur, shoqëria, mikun e vet të mirë, ish të përndjekurit politikë të diktaturës, avokatin e të zjarrtë të kauzës së tyre, publicistika shqiptare, humbi një nga penat më të spikatura të saj këto 30 vitet e fundit.
Shumë plane, ëndra, synime, projekte librash, mbetën në mes me humbjen e Nebilit.
Prehu në paqe vëlla!
Ngushëllime familjes, djemve dhe bashkëshortes për humbjen e tyre të madhe!
I përjetshëm kujtimi i Nebilit!
Lajmi i ndarjes nga jeta të Çikës bëhet me dije nga familjarët e tij në rrjetet sociale.
Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, bëhet e ditur se pas homazheve, trupi i pajetë gazetarit, njëherësh publicist, do të përcillet për në banesën e fundit, në varrezat e Tufinës.
“Me hidhërim te thellë dhe me dhimbje te madhe ju lajmërojnë qe u nda nga jeta babai jone i dashur Nebil Cika. Pritjet behen pranë ambienteve te Funeral Home Parajsa, pranë Nesherakut! Mbas ores 09:00. Varrimi ne oren 14:00 ne varrezat e Tufines.”, thuhet në mesazhin e familjarëve të gazetarit.
Çika ka qenë një nga iniciatorët dhe mbështetësit për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit, ndërsa ka denoncuar se edhe në poste të larta publike e shtetërore janë vendosur njerëz që kanë ushtruar detyra në kohën e diktaturës, ose kanë qenë spiunë të regjimit.