Pas klipit “Konga e çajit” me Tsunamin, Klevis Bega, i njohur si Kastro Zizo, po punon për të tjera projekte muzikore me ide speciale. E deri në lançimin e tyre, ai i dorëzohet diellit, detit dhe rërës. Për të ardhmen si deputet i Kuvendit, statusin e babait, ëndrrat e netëve të verës që bën realitet, menaxhimin e parave që shkojnë e vijnë, femrat që arrin t’i bëjë të tijat, dashurinë dhe seksin, ai flet në këtë intervistë për “Panorama Plus”.
Arratia jote e verës është vetëm me shokë, apo dhe me shoqe?
Me shokë e me shoqe. Me rëndësi është që të mos jesh kurrë vetëm për të bërë e jetuar çdo moment, ndonjëherë edhe me plot idiotësi.
Shohim që një nga shokët e tu më të ngushtë është djali yt Dankan. Deri në ç’nivel arrijnë bisedat tuaja babë e bir, duke qenë se ai është ende i vogël në moshë?
Është e vërtetë që më është kthyer në një shok të mirë. Unë gjithmonë kam qenë me parimin që raporti prind-fëmijë nuk duhet të kalojë caqet apo të arrijë ne nivele “shokë të ngushtë”, pasi ndryshe shokët e ngushtë s’do ekzistonin. Marrëdhënia ime me Dankan është ndonjëherë dhe shumë delikate, duke qenë se ai edhe pak futet në adoleshencë. Kështu, shpesh unë rrëmbehem nga impulsiviteti im dhe harroj që vetëm “dje” isha dhe unë si ai. Me rëndësi është fakti që kuptohemi dhe duhemi shumë.