Dita e katërt e luftimeve e ka gjetur Ukrainën nën breshërinë e raketave dhe bombardimeve.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës ka raportuar se një raketë ka goditur një bllok banesash nëntëkatëshe në qytetin verilindor të Kharkiv, duke vrarë një grua dhe duke plagosur disa të tjerë.
Po ashtu, në Kharkivi, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë është zgjuar sot me bombardime. Pak orë më parë një raketë goditi qytetin, ndërsa shpërthime u dëgjuan edhe në Kherson.
Nënkryetari i bashkisë së Kievit, Mykola Povoroznyk ka thënë se situata në qytet mbetet e qetë dhe nën kontrollin e forcave ukrainase. Ai vuri në dukje se gjatë natës kishte pasur përleshje me grupet diversante ruse në Kiev, por nuk dha asnjë detaj.
Ndërsa në Okhtyrka ka pasur viktima. Guvernatori i Sumy-t, Dmitry Zhivitsky, thotë se të paktën gjashtë ukrainas, përfshirë një vajzë shtatëvjeçare humbën jetën. Një kopësht fëmijësh dhe një jetimore ishin ndër objektivat e raportuara, të cilat Rusia i ka mohuar.
Ukraina raportoi se ka vrarë afro 800 ushtarë rusë dhe ka shkatërruar 30 tanke, shtatë avionë dhe 6 helikopterë ushtarakë. Nga pala ukrainase u raportuan rreth 200 viktima dhe 316 të plagosur. Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky shprehu pakënaqësi për përpjekjet e koalicionit perëndimor kundër Moskës. Në një fjalim, Zelensky tha se vendi i tij “mbeti i vetëm” për të luftuar Rusinë. Ai po ashtu deklaroi se objektivi kryesor i ushtrisë ruse është ai dhe familja e tij, deklaratë kjo e konfirmuar edhe nga DASH.
Pas bisedës telefonike që pati me liderin e Kinës, Xin Jinping, presidenti i Rusisë Vladimir Putin pranoi se ishte i gatshëm për bisedime me homologun ukrainas Volodimir Zelenski.
BE vendosi të godasë “kokat” e Rusisë, Presidentin Vladimir Putin, dhe ministrin e Jashtëm, Sergej Lavrov, duke iu ngrirë asetet evropiane. Presidenti i SHBA Joe Biden tha se katër banka të tjera, përfshirë dy më të mëdhatë, Sberbank dhe VTB, do të goditeshin me sanksione nga sanksionet perëndimore.