Mero Baze
Opozita po përpiqet të krijojë një fabulë të re të viktimizimit të saj tani nga Bashkimi Evropian. Pas katër vitesh “viktimizimi” prej SHBA-së, meqë shpalli Berishën non grata, tani ka filluar betejën kundër Bashkimit Evropian.
Pra, nëse për katër vite rresht demokratëve u tha se po ngelen në opozitë pasi SHBA është kundër nesh sepse ne jemi me Evropën, tani filmi ka ndryshuar. Tani po u thuhet se ne jemi në opozitë se jemi me Amerikën, por kemi kundër Evropën.
Pas udhëtimit të Berishës në Brazil, ku arriti të bëhet zëvendëspresident i 17-të i një shoqate politike që bashkon vende të Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine, Berisha tani ka nevojë për një “armik” të ri të rëndësishëm për të justifikuar dështimet.
SHBA nuk vazhdon dot ta shpallë si armik, pasi i ra fabula e Sorosit dhe në pushtet është Donald Trump. Pagoi deri në 10 milionë euro lobistët ta shpëtonin nga Sorosi, por akoma nuk kanë bërë gjë. Kështu që, me shpresë që të mos i shkojnë dëm lekët, po kërkon një armik të ri dhe ai është Bashkimi Evropian.
Në fillim sulmuan ambasadorin Gonzato, i cili është diplomati më i afërt me opozitën në Shqipëri përsa i përket qëndrimeve publike, por edhe sensit kritik me qeverinë.
Pas tij i janë vërsulur komisioneres Marta Kos, pse ka thënë që zgjedhjet kanë qenë të lira dhe të ndershme. Dhe për ironi të fatit, ankesën ia kanë dërguar ambasadorit Gonzato.
E gjithë kjo ofensivë ka lidhje me faktin që Bashkimi Evropian ka shtuar deklaratat publike për mundësinë e avancimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian deri më 2030, nëse përmbyllja e kapitujve përfundon më 2027.
Ky raport i ri pozitiv i Bashkimit Evropian me Shqipërinë, qoftë edhe për arsye gjeostrategjike, është një arsye e fortë për Berishën që ta shpallë edhe këtë komplot kundër PD-së. Dhe po fillon dita-ditës të plotësojë tablonë sinoptike të veprimtarisë “armiqësore” të BE-së kundër PD-së, duke sulmuar ambasadorin e saj, pastaj Komisionerin për Zgjerim e kështu me radhë.
Berisha e di shumë mirë që në Bruksel nuk shqetësohet njeri për këto qëndrime, por nuk i duhet për Brukselin. I duhet për të vetët, që t’u justifikojë atyre dështimet e tij në opozitë dhe t’u gjejë një fabulë të re për të justifikuar pafuqinë e tij.
Pra katër vjet kundër SHBA-së, për të justifikuar dështimet deri tek humbja më 2025; pastaj edhe katër vjet të tjerë kundër BE-së për të justifikuar humbjen më 2029.
Nuk di se çfarë “armiq” të jashtme do gjejë më 2029, por kam frikë se do prishet edhe me këta të shoqatës së Brazilit, që nuk e ndihmuan sa duhej. Dhe do nisë betejën t’u marrë atyre vulën dhe logon.






