Shqipëria pritet të marrë një lajm pozitiv në qershor nga Komisioni Evropian për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian. Teksa pak ditë më parë u prezantua strategjia e BE për vendet e Ballkanit Perëndimor, gazeta ka zbardhur edhe dokumentin e plotë të Brukselit. Ajo që bie në sy është fakti se eurodeputetët shprehen të kënaqur me reformat e kryera nga vendi ynë, duke theksuar se janë përmbushur të gjitha kushtet e vendosura. Në vijim të këtij përparimi, në dokument thuhet se për vendin tonë hapja e negociatave është gati. “Në vitet e ardhshme, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të kenë mundësinë të ecin përpara në rrugët e tyre evropiane, në bazë të meritave të tyre dhe shpejtësisë së arritjes së tyre. Mali i Zi dhe Serbia janë kryesuesit e deritanishëm në proces.
Shqipëria dhe ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë po bëjnë përparim të rëndësishëm në rrugën e tyre evropiane dhe Komisioni është i gatshëm të përgatisë rekomandime për të hapur negociatat e pranimit”, nënvizohet në raport. Ashtu si çdo herë tjetër, edhe në këtë dokument ndalet theksi tek përmbushja e reformave në çdo fushë, sidomos në atë të drejtësisë. Reforma në drejtësi është prioritet për evropianët, të cilët kërkojnë goditje të krimit dhe korrupsionit në nivele të larta. Por duke qenë se Shqipëria po bën hapa para në këtë drejtim me procesin e vetingut dhe me organet e reja të drejtësisë, deri në qershor do të jenë dhënë edhe rezultatet e para të reformës në drejtësi. Për këtë arsye, Komisioni Evropian pritet t’i jap lajmin e mirë vendit tonë për hapjen e negociatave me BE, duke u futur kështu në një proces historik.
Lufta kundër krimit dhe korrupsionit në fokus
Në dokumentin e Brukselit shtohet ndër të tjera se për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë këtu edhe Shqipërinë, ekziston një mundësi shumë e mirë historike për t’u bërë pjesë e familjes evropiane. Mirëpo në mënyrë që një gjë e tillë të realizohet, duhet që këto vende të kryejnë një punë të mirë dhe të palodhur, teksa theksi vihet kryesisht tek goditja e krimit dhe korrupsionit. Sa i takon vendit tonë, kërkohet të ngrihet sa më shpejt SPAK.“Të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të dyfishojnë urgjentisht përpjekjet e tyre. Vendet e Ballkanit Perëndimor tani kanë një dritare historike të mundësisë për të lidhur në mënyrë të vendosur të ardhmen e tyre në Bashkimin Evropian. Pranimi është dhe do të mbetet një proces i bazuar në merita, i cili varet plotësisht nga progresi objektiv i arritur nga secili vend.
Duhet të sigurohet pavarësia, cilësia dhe efikasiteti i sistemit gjyqësor. Pavarësia e gjyqësorit dhe e gjyqtarëve individualë është thelbësore për të siguruar drejtësi dhe për të mbajtur degët ekzekutive dhe legjislative të qeverisë në llogari. Vendet duhet të çrrënjosin korrupsionin pa kompromis. Strukturat e specializuara prokuroriale për të luftuar korrupsionin dhe krimi i organizuar dhe organet gjyqësore duhet të forcohen ndjeshëm. Disa masa duhet të zbatohen, siç janë nxjerrja e pasurive të fituara në mënyrë të paligjshme, humbja e të drejtave për të mbajtur postin publik, rregulla më të rrepta për pajtueshmërinë e zyrtarëve publikë dhe të arrihen mekanizmat e informimit dhe ankesave për qytetarët”, thuhet në dokumentin e Brukselit të zbardhur nga gazeta./sot