Këshilli i Emërimeve në Drejtësi pritet të vendosë sot për fatin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha. Kjo e fundit prej 5 vitesh qëndron në këtë gjykatë pa mandat, pasi që në 2017 ajo duhej të ishte larguar nga funksioni.
Vakanca e saj duhet të plotësohet nga Gjykata e Lartë dhe për shkak të mungesës së kuorumit në këtë gjykatë procesi është zvarritur. Në korrik nisi puna dhe kur pritej që të bëhej zëvendësimi i Tushës, erdhi një lëvizje surprizë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili vendosi që të mos rendisë kandidatët për këtë vakancë dhe t’ia kthejë mbrapsht Gjykatës së Lartë.
Sipas argumentit të KED ishin vetëm dy emra të kualifikuar dhe ligji kërkon 3 emra edhe pse më herët ky përcaktim është shkelur. Por teksa po tentohej të rihapej gara dhe Tusha të mbahej aty, erdhi një vendim surprizë nga Gjykata Administrative e Apelit.
Një prej kandidatëve të skualifkuar, Zhaklin Peto fitoi betejën dhe gjykata detyroi KED që të shqyrtojë rastin e saj, duke e çuar në 3 numrin e kandidatëve të nevojshëm për vakancën e zonjës Tusha. KED do të mblidhet sot dhe do të vendosë për këtë rast.
“Bazuar në Ligjin Nr. 115/2016 “Për organet e Qeverisjes së sistemit të Drejtësisë” dhe “Rregullores së Brendshme për Funksionimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi” (e përditësuar), K.E.D. njofton thirrjen e mbledhjes së radhës; “Ditën e martë më datë 14 Dhjetor 2021, ora 15.00 pranë Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, me këtë rend dite:
1. Njohja e anëtarëve më vendimin e Gjykatës Administrative të Apelit në lidhje me çështjen Zhaklina Peto kundër / KED 2021. Njohja me konstatimet dhe detyrimet e lëna nga gjykata për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi në rastin konkret. Diskutim mbi hapat që do të ndërmerren lidhur me rastin konkret dhe vijueshmërinë e procesit”, tha KED përmes një njoftimi për mediat.
Renditja e kandidatëve
Javën që lamë pas Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka nisur procesin e renditjes së kandidatëve për vakancën e Fatmir Hoxhës. Sipas ligjit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas vlerësimit të kushteve dhe kritereve të emërimit, brenda 10 ditëve rendit kandidatët dhe i paraqet kryetarit të Gjykatës së Lartë raportin e miratuar me shumicën e të gjithë anëtarëve, bashkë me listën dhe dokumentacionin shoqërues, për çdo kandidat.
Raporti i arsyetuar, pasi miratohet me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, publikohet. Më pas, kryetari i Gjykatës së Lartë thërret mbledhjen e Posaçme të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Mbledhja është e vlefshme nëse marrin pjesë jo më pak se një e dyta e të gjithë gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë. Nëse nuk arrihet shumica e nevojshme, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi konsiderohet i zgjedhur.