Kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, ka raportuar sot në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për punën e vitit të kaluar.
Kraja nuk u ka shpëtuar pyetjeve nga anëtarët e KLP-së në lidhje me deklaratat e fundit të kryeministrit Edi Rama.
Më poshtë po sjellim debatin Kraja-Anëtarët e KLP-së.
Alfred Balla: Politika ka ngritur retorikën për anshmëri, a ndiheni të presionuar? SPAK-u dhe BKH-ja nuk janë në sinkron, çfarë nuk shkon?
Arben Kraja: Të gjithë prokurorët e hetuesit janë të ndërgjegjshëm kë hetojmë, e dimë që do të ketë opinione të ndryshme, presione. E rëndësishme për ne të jemi korrektë me ligjin, të vlerësojmë provat. Këto u kam thënë edhe prokurorëve, të vijojnë punët me provat, nuk është problem shqetësues për ne. Në lidhje me pyetjen e dytë, unë mendoj se ne punojmë në koherencë me BKH-në. Oficerët janë të rinj, por po mësojnë.
Bujar Sheshi: I kanë përmbushur pritshmëritë hetuesit e BKH-së? A janë zbatuar të gjitha procedurat nga prokurorët për hetimet penale?
Arben Kraja: BKH-ja është trupë e pavarur në funksion të SPAK-ut. Ideja është për një institucion të përbashkët që bën një produkt. Hap pas hapi jemi munduar ta konsolidojmë. Te zgjedhja e personelit na është dashur shumë punë, energji. Janë me vullnet të jashtëzakonshëm për të punuar. Nga ana profesionale akoma nuk janë aty ku do të donim, pasi vijnë nga fusha të tjera. Por me rëndësi për mua është që kanë vullnetin, do të shtohet numri i tyre, trajnimet, mbështetja e prokurorëve. Kemi problem ambientet, por numri i madh në organikë e bën të pamundur qëndrimin. Presim të marrim një objekt diku aty afër për të sistemuar të gjithë. Kemi ngritur një komision mbikëqyrës për BKH-në.
Bujar Sheshi: Çfarë po bën SPAK-u për sistemin e menaxhimit të çështjeve?
Arben Kraja: Po punojmë ngushtë për të krijuar sistemin tonë të menaxhimit të çështjeve.
Tartar Bazaj: Ju duken të drejta aksionet e policisë për grupe të strukturuara dhe kanë dalë për shpërdorim detyre?
Arben Kraja: SPAK-u nuk ka nisur asnjë hetim për shpërdorim detyre, nëse ju më thoni një rast unë jap dorëheqjen. Kemi sekuestruar 70 milionë euro nga asete kriminale.
Arben Kraja: Unë nuk flas për çështje konkrete, po të doni rrini, po të doni dilni.
Arben Kraja: Nuk ka të drejtë KLP-ja të kontrollojë punën e SPAK-ut për çështje konkrete. Nuk do të keni mundësi t’i shihni asnjëherë, nuk është detyra juaj.
Nurian Seiti: Si janë zgjedhur zotërinjtë që keni me vete, sepse nuk shoh asnjë zonjë?
LEXO EDHE: “Koha të veproni”/ Xhafaj kritika qeverisë, mesazh të fortë gjyqtarëve dhe prokurorëve
Arben Kraja: I keni zgjedhur ju!
Nurian Seiti: Për detyra e kam fjalën.
Arben Kraja: Është procedurë dhe nuk ka asnjë paragjykim për koleget gra, janë perfekte, e kryejnë
detyrën shumë mirë.
Nurian Seiti: Cila është gjurma juaj që latë si drejtues?
Arben Kraja: Absurde për të vlerësuar veten. Por, kam punuar me vullnet, ligjshmëri, përgjegjshmëri e transparencë. Pjesën tjetër e vlerësojnë të tjerët.
Nurian Seiti: Ka qenë SPAK-u efektiv, ka ndonjë ngërç për kaq shumë pritshmëri dhe me paragjykime?
Kraja: SPAK-u është strukturë e ngritur nga e para dhe normalisht do të ketë probleme, ndryshe nga BKH-ja që i gjeti të gjitha gati. Rezultatet kanë ardhur, ka edhe shumë punë, do të bëhet shumë punë.
Arben Kraja: 2021-shi ka pasur rritje të mëdha në seanca gjyqësore, në Shkallë të Parë, Apel, Gjykatë të Lartë, por edhe në Kushtetuese. Ka qenë mbingarkesë për prokurorët dhe patjetër duhet stafi i duhur. Kam kërkuar që edhe SPAK-u të ketë ndihmës ligjor për të përballuar ngarkesën. Po se zbardhe në kohë, humbet prova. Problematika më e madhe që kemi hasur ka qenë moszbardhja në kohë, kemi punuar shumë që përgjimi dhe zbardhja të bëhen në kohë. Kur të vijë grupi i dytë i oficerëve të BKH-së do të jemi më të qetë. Ligji parashikon mbrojtjen e prokurorëve, siguria është e rëndësishme pasi hetohen njerëz të grupeve të ndryshme kriminale, por nuk kemi pasur probleme të mëdha.
Alfred Balla: Ndieni ndonjë nevojë për ndryshime ligjore për SPAK-un?
Arben Kraja: Faktikisht ne jemi të mbingarkuar, ligjvënësi i ka përcaktuar. Do pak kohë të konsoliduar struktura. Ne reaguam para një viti me korrupsionin 10 euro, 20 euro dhe na lehtësoi. Ne jemi të fokusuar për ta zbatuar ligjin sesa për ta ndryshuar.
Tartar Bazaj: Në këtë investim qindra miliona euro, e ndieni veten krenar për SHBA-në dhe ju e ndieni veten të zotë që e drejtoni?
Arben Kraja: Duhet të përgjigjem?
Tartar Bazaj: Unë do të përgjigjesha me po.
Arben Kraja: Duhet kohë ta analizosh veten. Ne të gjithë jemi të përgjegjshëm, transparentë, raportojmë opinionet dhe para jush. Bashkëpunojmë me të gjitha strukturat.
Nurien Seiti: Prokurorët e SPAK-ut nuk mund të pretendojnë se janë më të mirët e Republikës, ka magjistratë e prokurorë të tjerë të shkëlqyer. Prokurorët e SPAK-ut vetëm guxuan të konkurrojnë për atë strukturë./CNA.al