Policia gjermane kreu bastisje në disa zona më 14 dhjetor, si pjesë e hetimeve për kërcënimet me vdekje që i ishin bërë kryetarit të Saksonisë dhe zyrtarëve të tjerë.
Sipas mediave gjermane, policia kishte marrë informata për kërcënime me vdekje të zyrtarëve që dyshohet se janë bërë nga kundërshtarët e vaksinimit kundër koronavirusit dhe masave kundër përhapjes së pandemisë.
Disa prona në Dresden, u bastisën nga policia si pjesë e hetimit ndaj përgatitjes së mundshme të disa sulmeve të dhunshme, njoftoi policia në Twitter.
Hetimet u nxitën pas një raporti të javës së shkuar në televizionin ZDF, sipas të cilit, një grup njerëzish diskutonin rreth mundësisë që të vrasin kryetarin e shtetit gjerman të Saksonisë, Michael Kretschmer.
Këtë bisedë, ky grup e bëri në shërbimin për mesazhe, Telegram. Plani ishte që përpos, Kretschmerit të vriten edhe politikanë të tjerë, shkruan AP.
Dresdeni, është kryeqyteti i shtetit federal gjerman, Saksoni dhe së fundmi në qytet pati shumë protesta kundër politikave që kanë për qëllim parandalimin e përhapjes së pandemisë.
Për më tepër në këtë shtet niveli i vaksinimit të qytetarëve kundër koronavirusit është më i ulëti në gjithë Gjermaninë.
Sipas raporteve, grupi përbëhej nga 103 njerëz dhe të gjithë kundërshtonin vaksinimin. Policia njoftoi se pas bastisjeve, komentet e disa prej këtyre qytetarëve rreth posedimit të armëve, po ashtu janë pjesë e hetimit./Burimi: REL