Presidenti Ilir Meta kohët e fundit me deklaratat e tij po tregon gjithnjë e më shumë se ka lëvizur shumë nga “binarët”, sidomos kur bëhet fjalë për sjelljen ndaj SHBA dhe BE.
Pasi sfidoi SHBA duke deklaruar se nëse kërkon të organizojë votime e jo zgjedhje në Shqipëri të shkojë në Korenë e Veriut, pasi sa kohë që të jetë ai këtu nuk bëhen të tilla, Meta në takimin me ambasadorët kërcënoi se nëse Rama nuk tërhiqet nga 30 qershori, do përdorë ushtrinë kundër zgjedhjeve.
Pavarësisht se ushtria shqiptare është pjesë e NATO-s dhe në kohë paqjeje urdhërohet nga Ministri i Mbrojtjes dhe Kryeministri, Meta tregoi se është shumë i tmerruar nga dosja që e ngarkuara me punë e ambasadës së SHBA në Tiranë i la në tryezë, sa nuk i mat më fjalët.
Të njejtën gjë ka bërë dhe ditën e sotme, teksa përmes zëdhënësit të Presidencës, ka kërcënuar KQZ, politikën e partnerët ndërkombëtarë se po mban shënime për të gjithë ata që po e cënojnë në vendimin e tij për anulimin e zgjedhjeve.
“Presidenti Meta vlerëson të gjitha institucionet që zbatojnë ligjin dhe i inkurajon që ta bëjnë këtë me përgjegjshmëri maksimale dhe transparencë të plotë.
Presidenti mban shënim të gjithë personat që shkelin ligjin dhe provokojnë tensione artificiale, të cilat u shërbejnë vetëm atyre grupimeve të errëta vendase dhe të huaja, që kërkojnë destabilitet në Shqipëri dhe rajon, me qëllim defaktorizimin e Shqipërisë e shqiptarëve”, deklaron Meta përmes zëdhënësit të tij.
Një kërcënim i pastër i drejtuar ndaj SHBA dhe BE, teksa thotë se po mban shënim për të gjithë personat të cilët u shërbejnë grupimeve të errëta vendase dhe të huaja për të shkelur dekretin e tij të zhbërjes së 30 qershorit.
Pasi kreu i shtetit nuk tha asnjë fjalë për ata që kanë shkatërruar KZAZ në Tropojë apo që tentuan të bëjnë një gjë të tillë në Shkodër, çka solli përplasjen e policisë së shtetit me policitë bashkiake respektive./Pamfleti/