Pas negociatash intensive lidhur me politikën europiane të emigracionit, liderët europianë kanë aprovuar konkluzionet, ku përfshihen edhe ato për zgjerimin.
Në këto konkluzione, liderët europianë përshëndesin marrëveshjen e arritur midis Greqisë dhe Maqedonisë për çështjen e emrit dhe e konsiderojnë marrëveshjen midis Maqedonisë dhe Bullgarisë për fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin si një shembull të mirë për vendet e tjera të Ballkanit për të ndërtuar një fqinjësi të mirë.
Liderët europianë kanë aprovuar gjithashtu konkluzionet e Këshillit të punëve të përgjithshme të Bashkimit Europian të 26 Qershorit, ku hapet rruga drejt negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE.
“Pas miratimit të konkluzioneve për zgjerimin nga kryetarët e shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Europian, Komisioni Europian fillon menjëherë punën përgatitore drejt hapjes zyrtare të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE në 2019. Në këtë kuadër do të vihet theksi te reformat kyçe lidhur me shtetit ligjor dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Kjo është konfirmuar edhe nga një letër të publikuar nga përfaqësuesja e lartë e politikës së jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Europian, Federica Mognerini dhe komisioneri për politikën e fqinjësisë dhe negociatave të zgjerimit, Johannes Hahn.
Në këtë letër, përshëndetet progresi i bërë në reformat e integrimit europian të vendit, duke theksuar, se tani është koha që Shqipëria të punojë me të njëjtën vendosmëri për reformën e drejtësisë, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar