Nga Anri Bala
Çdo ditë që kalon, mediat tona po veshin një kostum që i rri ngushtë dhe janë aq mediokre e aq të shpifura, sa më çudit fakti… që mendojnë se mund t’i pranoi e kapërdijë çdo qytetar me nivel inteligjence shumë më të lartë se këto klloun?! Them klloun, sepse të tillë janë. Të parët janë pronarët e dyshimtë me pasuri të dyshimta dhe me veprimtari të dyshimtë, në fushën e ish bizneseve të tyre, të maskuar me hapjen e lavatriçes së parave të pista, të quajtur platformë mediatike TV.
Dhjetëra TV nuk thonë asgjë, por thonë shumë për veten e tyre, pa e kuptuar se dy lajmet më të rëndësishme janë… pëllitjet e Sali Berishës çdo ditë, orë e pa orë dhe kronika e zezë, në detaje… si ato, që maçoku i një zotërie plagosi qenin e një zonje.
Dhe ky lajm endet e tirret në qindra portale, që gëlojnë në sheshin pa zot të mediave on-line dhe merr aq rëndësi, sa zonja bëhet viktim dhe zotëria kriminel.
Kurse, lajmi i përhershëm 24 orë në 24 është: Çfarë u tha Mediu amerikanëve, Meta shkallabanëve të tij, Berisha derdimenëve, apo Salianji çobanëve të fshatit nga burgu dhe pse “hjeksat” akoma vetëquhen heronj dhe të persekutuar politik, për korrupsion, vjedhje, grabitje, vrasje dhe mashtrime monstruoze, nga bandat pa pushtet, që na bëjnë të dyshojmë për shëndetin tonë mendorë.
Kurrë dhe askund nuk kemi dëgjuar se të vjedhësh, të grabisësh, të mashtrosh dhe të bëhesh nga “pabreks” në milioner… qenka politikë, ëdhe këto nëse i bënë me shokë quhet “robinhudllik”.
Teksa lajmet e kronikës së zezë të dalin edhe në ëndërr, nga çudirat që dëgjon nga gjithëfarë analisti e specialisti, të shkolluar për bujqësi dhe blegtori, apo të pashkolluar, por të specializuar në fushën e lehjes, të krijohet bindja se profesioni më i kërkuar dhe i paguar në Shqipëri është… “qenëria mediatike”.
Ngaqë lehin pa pushim dhe pa e ditur se çfarë thonë, shumë nga njerëzit e krimit po na i nxjerrin Robin Hood, të pa kapshëm me ushtarët e tyre në shtet, polici, qeveri dhe prokurori, e gjitha kjo… në emër të opozitarizmit të tyre grotesk, për të denigruar dhe baltosur përpjekjet e paimagjinueshme të këtyre strukturave të shtetit të shqiptarëve dhe jo të lukunisë së zagarëve.
Ndërsa mbushin orë të tëra me marrëzirat e një plaku të sëmurë mendërisht, që reciton e turfullon çdo natë, dje majë ballkonit të tij dhe sot në koliben SHQUP, e grabitur me ligj nga pasuria e shtetit, nuk harrojnë kurrë të publikojnë as “kuisjet” e bishtatundësave të tij, si këlysh të pastërvitur, që japin receta se si bëhet shteti dhe …kiameti, që ata e kanë provuar disa herë, duke e shkatërruar këtë vend, për të na groposur me “demokracinë” e tyre… të armatosur.
Ndaj na mbetet të ulërasim: Rrofshin halemediat që na pushtojnë dhunshëm hapësirat publike të informimit, në emër të lirisë së shtypit… dizinformimit! /Ekskluzive.al