Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se institucionet e Kosovës, pas shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit në Komunën e Zubin Potokut në veri më 29 nëntor, kishin kërkuar autorizim nga komandanti i KFOR-it për dërgimin e mundshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në zonën e prekur.
“Komandanti i KFOR-it nuk ka dhënë një autorizim të tillë, bazuar në vlerësimin e tij të sigurisë dhe veprimet që tashmë janë ndërmarrë nga KFOR-i”, tha KFOR në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
Kosova e bëri këtë kërkesë në përputhje me marrëveshjen e vitit 2013 të nënshkruar mes institucioneve të Kosovës dhe NATO-s, sipas së cilës, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, e siguroi NATO-n se FSK-ja nuk do të shkojë në veri pa pëlqimin paraprak të KFOR-it.
“Siç është komunikuar në deklaratën tonë të djeshme, KFOR ka vendosur njësite për të siguruar zonën e dëmtuar të kanalit të ujit në Zubin Potok. KFOR gjithashtu ka ofruar ndihmë shtesë për institucionet në Kosovë, duke përfshirë mbështetje logjistike dhe për asgjësimin e mjeteve shpërthyese”, tha KFOR në përgjigjen e tij.
Misioni shtoi se komandanti i KFOR-it mbetet në kontakt me të gjithë partnerët e tij kryesorë dhe se po e mban situatën nën vëzhgim. Kosova fajëson Serbinë se qëndron pas shpërthimit në veri, akuzë që Serbia e mohon. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën në mbrëmje gjatë një konference për shtyp nuk iu përgjigj pyetjes nëse ai i kishte kërkuar KFOR-it leje për ta dërguar FSK-në në veri, por tha se “ne jemi të kufizuar në veri duke qenë se ushtria jonë, bazuar në marrëveshjen e vitit 2013, nuk mund të shkojë në veri.”
“Prandaj, situata atje nuk është e njëjtë si në pjesët e tjera të vendit tonë.”
Kurti shtoi se, edhe pse nuk i pëlqen zotimi i dhënë për mosdërgimin e FSK-së në veri, ai do ta respektojë atë.
“A do të ishte më mirë dhe më e sigurt të ishte ushtria e Kosovës? Po, do të ishte. Mirëpo, nuk është atje, dhe ne e respektojmë atë zotim që ka dhënë Thaçi”, ka thënë Kurti.
Më herët gjatë ditës së sotme, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se Kurti e ka bërë këtë kërkesë NATO-s. Shpërthimi ndaj kanalit në fshatin Varragë të Zubin Potokut nuk shkaktoi viktima, por e krijoi një çarje të madhe në murin anësor të tij, duke shkaktuar rrjedhe të ujit jashtë kanalit, duke bërë që disa pjesë të vendit të përballeshin me reduktime uji.
Nga hidro-sistemi Ibër-Lepenci, në Gazivodë (Zubin Potok), furnizohet me ujë i gjithë veriu i Kosovës, rajonet e Mitrovicës si dhe Prishtina me rrethinë, përfshirë edhe Korporatën Energjetike të Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj./ REL