Kikboksieri i famshëm shqiptar, Florian Marku, mori një fitore të rëndësishme, në një atmosfertë të jashtëzakonshme në Linz të Austrisë, ndaj kundërshtarit boshnjak Dzevad Mutfiç, kësaj radhe në MMA ose e thënë ndryshe Artet Marciale Mikse.
Sekondat e para ishin të vështira për shqiptarin, i cili u gjend në vështirësi pas një kapje të kundërshtarit, i cili pretendoi edhe për një dorëzim të Markut. Pas pamjeve filmike, gjyqtari vendosi vazhdimin e ndeshjes. Marku reagoi menjëherë, duke i lëshuar një goditje të fortë në fytyrë kundërshtarit, i cili përfundoi i gjakosur.
Më pas, nuk vonoi edhe dorëzimi i tij, duke i dhënë fitoren e radhës Markut, i cili ka bërë krenar me mijëra mbështetës që e ndoqën në Linz të Austrisë, por edhe tifozë të tjerë anembanë botës.
Marku shpreson që shpejt t’i jepet shansi për t’u ndeshur për kampion bote, pasi ai është i bindur se mund të mundë këdo në peshën e tij. 25-vjeçari nga Lushnja garon në peshën deri 75 kg, dhe pavarësisht se ka konkurruar nën siglën e Greqisë, ai para dhe pas ndeshjeve ka mbajtur flamurin shqiptar. Ndeshjen e radhës Marku ka deklaruar se do ta zhvillojë në Shqipëri.
d.c./shqiptarja.com