Gazetari Frrok Çupi ka ndalë me një reagim të fortë pas ngjarjeve kriminale që kanë ndodhur ditët e fundit në vendin tonë. Përmes një analize të hollë, Çupi shkruan se thelbi i problemit starton shumë herët dhe fajtori kryesor është makineria-shtet.
Komenti i plotë:
Të fortin e bën makina
… Të fortin nuk e bën nëna, por e bën makina- mund të ishte ky një variant i gjetjes se si formohen ata që kanë marrë përcaktimin ‘të fortët’. Por nuk besoj se duhet ngatërruar ‘nëna’ në këtë mes. Shumëkush i mbledh këto ngjarje në zarfin me nënë e fëmijë, me lot e mallkime… Nuk është e dobishme
Kjo prapë, sapo jemi vënë në udhë, do të na e humbte fillin për të gjetur se si lindin e rriten të fortët. Si u rrit i forti që ngiste makinën me 200 km në orë dhe vrau një familje të tërë?…, si u zmadhuan vëllezërit pronarë në Velipojë derisa vranë njëri tjetrin dhe një punëtor 20 vjeç?!.
Keni parë që të shfaqet nëna e ndonjë të forti pasi ky ka kryer tmerrin? Jo, nëna e ka kryer punën me aq sa bëri; makina- kjo e bën të fortin. Nuk është fjala thjesht vetëm për një veturë ‘Audi’, luks e tëra, që u kap në vdekjen drejt Vlorës.
Të gjithë të fortët kanë prapa makinë; makinë është arma, makinë është paraja, makinë është fisi, makinë është shteti dhe posti, makinë është korrupsioni, makinë është edhe ideja e të gjithë- pushtetshmit.