Në komisionin për Ekonominë dhe Financat është duke u zhvilluar një diskutim për draft programin e punimeve për periudhën 5 shtator-14 tetor.
Deputeti i Partisë Socialiste Erion Braçe në përballje me ministren e Financave, Delina Ibrahimaj, ka kritikuar qeverinë duke thënë se nuk ka bërë sa duhet për të mbrojtur shtresat në nevojë nga rritja e çmimeve dhe kriza ekonomike.
Duke iu referuar paketës shtesë të ndihmave që Ministria e Financave pretendon të aplikohet së shpejti, Braçe tha se ka tre muaj që flitet për këtë nismë dhe qytetarët ende nuk kanë marrë ndihmë nga qeveria.
“Kjo zgjatja kur fillon. Sepse qershori, korriku, gushti iku dhe bëhet fjalë për shtresat më vulnerabil të shoqërisë. Të cilët janë goditu më fortë nga të gjithë të tjerët nga rritja e çmimeve, që këtë muaj vijojnë të mbeten të larta. Sa kohë që tre muaj s’kanë marrë asgjë, tani që ngelen edhe katër muaj nga ky vit, kur do të fillojë zgjatja, kur do e marrin këta njerëz atë mbështetje buxhetore. Dhe e dyta çfarë do marrin, do të jetë e njëjta paketë, në sasi apo e njëjta’, tha Braçe.
Deputeti socialist u ndal edhe te paketa e ndihmës që qeveria ka anunçuar për fermerët, duke thënë se ka dy muaj që nuk është shpërndarë asnjë litër falas në terren.
‘Pyetja tjetër që kam, është se keni marrë disa vendime qeverie për të mbështetur bujqit me një fond. Unë shoh në terren se bujqit kanë dy muaj që s’marrin asnjë litër naftë falas. Ndërkohë që punët janë tani, Pra ishte korrja, tani është plugimi dhe mbjellja dhe nëse nuk ka ndihmë tani harrojeni pranverën dhe verën e ardhshme. Dhe e theksoj se në ato tabelat e rritje ekonomike që publikohen çdo tre muaj, bujqësia paraqitet në shifra të ndryshme nga sektorët e tjerë. Dhe e treta si e parashikoni ju inflacionin në muajt që vijnë. Ç’impakt do ketë te këto shtresat në nevojë, dhe në prodhim se përveç ndërtimit ne nuk ndërhyjmë në asnjë fushë tjetër’, pyeti Braçe.
Ndërkohë, ministrja e Financave Delina Ibrahmiaj tha se inflacioni varet nga rritja e çmimeve në tregun ndërkombëtar, pasi 60% e tij është e importuar. Ajo gjithashtu iu përgjigj Braçes duke thënë se paketa e re e ndihmës do të bëhet publike shumë shpejt.
‘Ky aktivitet i shtuar ekonomik është pasojë e politikave që kemi marrë deri tani qoftë për nxitjen e biznesit. Ne jemi duke njoftuar një paketë të re, e cila do të shpallet për pak ditë. Kanë ndryshuar kushtet, nga hartimi i paketës së parë dhe sot. Paketa e parë u hartua në fund të marsit dhe kishte pasiguri të lartë për zgjatjen e krizës. Morën disa masa ad-hoc që në linjë me parashikimet tona dhe institucioneve tona parashikonin një përmirësim të kurbës së inflacionit që nga 6 mujori i dytë i vitit.
Kjo s’ka ndodhur ndaj ne do marrim një plan masash afatmesëm për shtresat në nevojë. Kemi krijuar hapësirë të arsyeshme në buxhet për t’i përballuar. Ne do të zgjasim mbështetjen për transportin, me qëllim që çmimi i biletës të mos rritet. 60% e inflacionit tonë është i importuar dhe do të varet nga rritja në tregun ndërkombëtar’, deklaroi Ibrahimaj.