Komisioni i Pavarur i Kualifikimit i ka hapur ditën e djeshme rrugën ngritjes së Këshillit të Lartë Gjyqësor. Pavarësisht sulmeve politike në adresë të reformës në drejtësi, po jepen sinjale se në vjeshtë organet e reja të drejtësisë do të jenë gati. Këshilli i Lartë gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të kenë secili nga 11 anëtarë, ku 5 për secilin nga këto dy organe i ka zgjedhur Kuvendi.
Ndërsa mungojnë vetëm 12 emrat që do të përfaqësojnë gjykatat dhe prokuroritë. Sipas ligjit, 6 anëtarët e KLGJ-së i zgjedh Konferenca Gjyqësore, ndërsa 6 anëtarët e mbetur të KLP-së, Këshilli i Prokurorisë. Ndërkohë që ditën e djeshme ka kaluar me sukses procesin e vetingutgjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Astrit Faqolli, i cili është njëherësh kandidat për KLGJ, duke bërë që 6 emrat e nevojshëm për këtë organ, të jenë disponibël.
Kjo do të thotë që nuk ka asnjë shans që ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor të bllokohet. Nga ana tjetër, situata premtuese duket edhe tek Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pasi deri më tani kanë kaluar me sukses procesin e vetingut 4 nga 6 kandidatët e nevojshëm.
Ndërkohë që janë edhe shumë prokurorë që pritet t’i nënshtrohen vetingut, ku mes tyre ka emra me integrim që pritet ta kalojnë këtë proces, duke bërë që edhe për KLP, gjashtë kandidatët e nevojshëm të jenë gati.
Ç’ka do të thotë se në shtator me shumë gjasa do të bëhet realitet ngritja e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë./sot