Ngërçi i sistemit të drejtësisë në vend duket se po shkon drejt stabilizimit. Këshilli i Lartë Gjyqësor i ka dërguar ditën e djeshme emrat e tre kandidatëve presidentit Ilir Meta për tre vende vakante në Gjykatën e Lartë. Ata janë Sokol Sadushi, Ilir Panda dhe Ervin Pupe.
Ndryshe nga çfarë ndodhi me Gjykatën Kushtetueses, e cila u kthye në burim konfliktit mes institucioneve të Presidencës, Kuvendit dhe KED, me emërimin e anëtarëve për në Gjykatën e Lartë, Meta nuk ka asnjë mundësi për të bllokuar emërimin e tyre. Rregullat e emërimit për anëtarët e Gjykatës së Lartë janë të përcaktuara qartësisht në Kushtetutën e ndryshuar në 2016. Sipas nenit 139 pika 2 e Kushtetutës, Meta ka vetëm 10 ditë kohë për të emëruar tre anëtarët e Gjykatës së Lartë, nga data e marrjes së vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, me përjashtim të rasteve kur presidenti konstaton se kandidati nuk plotëson kriteret e kualifikimit ose kushtet e zgjedhshmërisë, sipas ligjit.
“Në përfundim të procedurave të kandidimit për secilin nga pozicionet e lira të shpallura, pas verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit për të gjithë konkurrentët, si dhe vlerësimin sipas meritave të kandidatëve të kualifikuar, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi t’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin e tre kandidatëve, konkretisht: Me Vendimin nr. 110, datë 27.2.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi: T’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, të kandidatit z. Sokol Sadushaj; Me Vendimin nr. 111, datë 27.2.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi: T’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, të kandidatit z. Ervin Pupe; Me Vendimin nr. 111, datë 27.2.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi: T’i propozojë Presidentit të Republikës emërimin në Gjykatën e Lartë, nga radhët e juristëve të spikatur, të kandidatit z. Ilir Panda”, thuhet në kërkesën e KLGJ. Neni 136 i ligjit për statusin e gjyqtarëve e të prokurorëve parashikon që mandati i anëtarit të Gjykatës së Lartë fillon ditën kur bëhet ceremonia e betimit përpara Presidentit të Republikës.
Por, shumica ka vendosur t’ia heqë këtë kompetencë Presidentit, i cili mund ta përdorë si instrument bllokimi. Në ndryshimet në ligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të miratuara nga Kuvendi dhe të kthyera dje nga Meta për rishqyrtim, parashikohet që Këshilli i Lartë Gjyqësor organizon ceremoninë e betimit për anëtarin e Gjykatës së Lartë jo më vonë se 10 ditë nga data e emërimit ose e shpalljes i emëruar. Ndryshimet pritet të miratohen sërish nga Kuvendi.