Formimi i Gjykatës së Posaçme ka qenë një sfidë më vete për Këshillin e Lartë Gjyqësor. Në raportin vjetor të dorëzuar në Kuvend, KLGJ tregon se ende ka mangësi gjyqtarësh për të plotësuar Gjykatën e Posaçme edhe pse brenda një viti ka hapur 12 herë procedurat për t’u dhënë mundësi gjyqtarëve të ngrihen në detyrë dhe të plotësojnë vendet vakante atje.
Sipas KLGJ, në të 12 herët numri i aplikantëve ka qenë shumë i ulët dhe ka pasur shumë pak interes nga gjyqtarët. “Përpos mekanizmave të tjerë për zgjidhje të përkohshme, gjatë vitit 2020 Këshilli ka hapur dhe rihapur 12 herë procedurat e ngritjes në detyrë të gjyqtarëve në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe atë të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për plotësimin e organikave të tyre.
Megjithatë, numri i aplikimeve ka qenë i ulët dhe gjyqtarët kanë hezituar të shprehin interesin për këto pozicione”, thuhet në raport. Më tej KLGJ sqaron se gjyqtarët kanë shfaqur pak interes për këto vende vakante në Gjykatën e Posaçme sepse i tremben vetingut si dhe kanë frikë mos iu cenohet jeta private e atyre dhe pjesëtarëve të familjes. Kështu që plotësimi i këtyre vendeve bosh mbetet si detyrë për t’u realizuar gjatë këtij viti që flasim.
Sipas KLGJ, plotësimi i vendeve vakante duhet të arrihet patjetër për të vijuar në ritme më të shpejta në luftën antikorrupsion. “Nga analizat dhe diskutimet me gjyqtarët, dy janë shkaqet kryesore të motivimit të ulët për të aplikuar në këto pozicione: humbja e privatësisë së gjyqtarit dhe familjarëve të tij dhe procesi i rivlerësimit kalimtar, ku në rast kandidimi kuadri ligjor në fuqi kërkon që kandidati të ketë kaluar me sukses këtë proces.
Gjithsesi KLGJ gjatë vitit 2020 është përpjekur të ruajë funksionimin normal të këtyre gjykatave duke ndryshuar aktet nënligjore sikurse ndryshimet e bëra në vendimin e KLGJ nr. 30, datë 14.02.2021, amendime këto që i hapën rrugën trajtimit të kërkesat që vinin nga këto gjykata në rast nevoje, për plotësimin e trupave gjyqësore në shqyrtimin e çështjeve gjyqësore të veçanta”, evidenton KLGJ.