Këshilli i Lartë Gjyqësor është treguar i gatshëm për të marrë në dorë procesin e vetingut të gjyqtarëve. Ditët e fundit ka nisur një debat i gjerë nëse duhet apo jo të zgjaten afatet e KPK.
Sipas Kushtetutës, në qershor të 2022 vetingu kalon në KLP dhe në KLGJ. Dje kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami ishte në Komisionin e Ligjeve, ku u diskutua buxheti për institucionin që ajo drejton. Deputeti Fatmir Mediu i drejtoi asaj pyetjen:
“Kushtetuta ju ka ngarkuar detyrën që të vazhdoni procesin e vetingut. A keni parashikuar kapacitete të nevojshme për ta kthyer këtë proces dhe sa kosto financiare ka?”. Llagami tha se Ministria e Financave nuk i ka vënë në dispozicion institucionit fondet e nevojshme.
“Këshilli ka qenë i vetëdijshëm mbi detyrimet që burojnë nga neni 109 i kushtetutës dhe kemi ngritur një grup të posaçëm pune për të përllogaritur kostot e burimeve njerëzore dhe financiare përsa i përket gjysmës së dytë të 2022-it, kohë në të cilën prezumohet që i merr detyrat KLGJ. Nga ajo që na rezulton nuk është marrë parasysh nga Ministria, por kurrsesi Këshilli nuk e ka adresuar”, tha ajo. Kjo deklaratë solli reagimin e deputetit demokrat Alibeaj, i cili kritikoi qeverinë për mosakordimin e fondeve.
“Ngjarje e sigurt e së ardhmes është fakti qe në 2022 me një dokument që është i qartë, Kushtetuta e shqiptarëve, në qershor 2022 vetingu të kalojë në KLGJ dhe KLP. Pse nuk i parashikoni ju fondet për dy këshillat por ia caktoni KPK-së”, tha ai. Relatori Alqi Bllako tha se buxheti për vitin 2022 është në 3.6 miliardë lekë të rinj, duke shënuar një rritje prej 186 milionë lekë në raport me buxhetin e vitit 2021 dhe është institucioni i dytë nga institucionet e drejtësisë që përfiton rritjen më të madhe buxhetore 2022.
“Nëse do t’u referohemi zërave, kemi një fond të rritur për individë në 6.1 milionë lekë, ndërkohë zëri i investimeve është rritur në mënyrë të konsiderueshme në 82 milionë lekë. Për fondin e pagave kemi një rritje të konsiderueshme prej 58.3 milionë lekë. E njëjta situatë është edhe te zëri i investimeve”, tha ai.
Harta gjyqësore
Në komision u prek dhe debati për hartën gjyqësore. Shefja e KLGJ i qëndroi propozimit për të pasur vetëm një gjykatë Apeli. Ndërkohë pasi u largua nga komisioni, ajo pati një takim me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja për këtë çështje. Ministria e Drejtësisë njoftoi se kanë hyrë në mes amerikanët për të zgjidhur mosmarrëveshjet. “Ministri i Drejtësisë z. Ulsi Manja takoi sot kryetaren e KLGJ (Këshilli i Lartë Gjyqësor) znj. Naureda Llagami dhe përfaqësuesin e Ambasadës Amerikane në Tiranë z. Benjamin Rockwell, ku diskutuan lidhur me problematikat e fundit të hartës gjyqësore.
Për të arritur në finalizimin e draft-propozimit të përbashkët të Hartës Gjyqësore e më pas për t’ia nënshtruar konsultimit publik me KLP, PP, MIE dhe grupet e tjera të interesit, përpara miratimit në Këshillin e Ministrave, u vendos të ngrihen dy grupe pune; një në Ministrinë e Drejtësisë dhe një në KLGJ. Këto grupe do të takohen javën e ardhshme për të përmbyllur në nivel teknik temat e hapura për diskutim”, tha ministria. Pika e cila ndan palët është ridimensionimi i gjykatave të Apelit. KLGJ ka propozuar të kemi vetëm një gjykatë Apeli në Tiranë dhe të mbyllen të gjitha gjykatat e tjera. Po ashtu sa u takon gjykatave të rrethit propozohet që të ketë vetëm në qarqe.