SPAK është institucioni me besueshmërinë më të lartë në publik, si shpresa e vetme për të ndëshkuar korrupsionin në nivele të larta dhe për të thyer mitin e pandëshkueshmërisë. Por së fundi, për shkak të pritshmërive, opinioni publik është i ndarë: A po bënë SPAK vërtetë drejtësi, a po heton në mënyrë selektive, a po zbaton standardet apo porositë?
Kjo ndarje vjen për shkak të disa sjelljeve të dyshimta si në aspektin profesional por dhe të figurës, të disa prokurorëve të SPAK, që nuk bëjnë pis vetëm imazhin e institucionit por dhe mund të shkatërrojnë të gjithë punën e drejtësisë. Një nga personazhet më të dyshimtë në rolin e tij është patjetër prokurori Klodjan Braho.
Për ata që nuk e dinë, disa vite më parë, për t’u katapultuar në Prokurorinë e Posaçme, Klodjan Braho raportonte sistematikisht para Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Ekzistojnë disa dëshmitarë, të cilët tregojnë të habitur se si Klodjan Braho, dikur prokuror në Berat, qëndronte me kokën ulur para Ilir Metës dhe të shoqes, të cilën tashmë e ka shpallur komplotiste.
Akuzat ndaj Lefter Kokës dhe Alqi Bllakos, sidomos ndaj Kokës për inceneratorin e Tiranës me të cilin Koka nuk kishte asnjë lidhje, ishte shërbimi i parë i Brahos në SPAK për Ilir Metën. Ky i fundit, e përdori Brahon jo vetëm për të goditur ata që u larguan nga partia e tij, por edhe për të mbrojtur Arben Ahmetajn, të cilit Braho i fshehu provat e korrupsionit, para se çështjen e tij t’a merrte nga dora Altin Dumani me Enkeleda Millonain.
Me rënien e Metës, Klodjan Braho nisi të gjente aleanca të reja politike dhe financiare, duke përdorur gjithnjë pozitat si prokuror. Prokurori i SPAK dyshohet se u afrua me disa ndërtues që pastrojnë para me kulla në Tiranë dhe janë kontigjent kriminal, duke hyrë në ortakëri dhe kthyer në garanci për mosveprimin e SPAK ndaj tyre si drejtues i sektorit të antikorrupsionit.
Kur doli para Vetingut, Klodjan Braho banonte në një apartament në Yzberisht, sot është pronar i disa apartamenteve te Rruga e Kavajës dhe është aksioner në disa ndërtime me vlerë dhjetëra milionë euro. Kreu i SPAK-ut Altin Dumani, SHISH dhe përfaqësues të SHBA-BE janë në dijeni se ku banon sot Klodjan Braho, pasurinë që kamuflon dhe ortakërinë me njerëzit e nëntokës.
Dosja “Toyota Yaris” është një shembull se si Klodjan Braho bën pazare me dosjet dhe përdor funksionin për interesa të tij. Nga 20 magjistrarë dhe ish magjistratë të implikuar në mbyllje dhe sabotime çështjesh me para, ndikim të paligjshëm, korrupsion, afera me masa sigurie, pazare, etj, Braho goditi mikun e tij më të ngushtë, Aurel Zarkën, me të cilin kalonte edhe pushimet. Zarka ishte i implikuar në dosjen “Toyota Yaris”, por nuk ishin më pak të implikuar disa kolegë të tjerë, të cilët u amnistuan, disa për solidaritet mes kolegësh dhe disa nga frika sepse dinin gjëra që hapin telashe të mëdha.
Në komunikimet në SkyEcc të dosjes “Toyota Yaris” me prokuror të çështjes Klodjan Brahon, kompromentohet edhe KLP-ja, me emërime dhe rritje në detyrë në bazë pazaresh dhe qokash. Madje edhe emërimi i Zarkës kryeprokuror në Vlorë del në SkyEcc se është emëruar me lobime dhe pazare. Pazaret e KLP nuk janë përfshirë fare në dosjen që Braho i dërgoi gjyqtarit Erion Bani, duke e vulosur si sekret. Bisedat e përgjuara mbahen nga Braho si mjet shantazhi me sa duket për të trysnuar KLP-në t’a zgjedh kryetar të SPAK-ut?
Përveç shantazhit, Klodian Braho po tenton edhe të joshë anëtarin e KLP-së, Zeqir Hodën, duke tentuar t’i emërojë djalin Ditmir Hodën hetues financiar pranë Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion në këmbim të votës në KLP pro tij si drejtues i SPAK. Pas denoncimit në media të skemës, Braho është tërhequr formalisht nga komisioni i Përzgjedhjes së Hetuesve Financiar, në Sektorin e Hetimit Financiar, në Prokurorinë e Posaçme.
Ka të dhëna që Klodjan Braho, përmes personazheve që mund të jenë potencialisht subjekte të veprimit të SPAK, po lobon për të bindur disa anëtarë të KLP-së me qëllim për të siguruar votën e tyre për të marrë drejtimin e SPAK-ut.
Lidhje me krimin
Sipas dokumenteve të siguruara nga sistemi TIMS, më 24 shkurt 2012, prokurori Klodjan Braho ka udhëtuar drejt Athinës me trafikantin e dënuar Bledar Gavelli (alias Ervis Gavelli), që kishte kryer 3 vite burg në Torino për trafik ndërkombëtar droge. Të dy kanë kaluar kufirin në Kakavijë me makinën “AA 777 AT”, me drejtues vetë Brahon, kanë fjetur në hotelin “Blazer Suites” dhe janë kthyer më 26 shkurt 2012, këtë herë me drejtues të makinës trafikantin Gavelli. Këtë udhëtim Braho nuk e ka deklaruar në formularin e kontrollit të figurës për Vetingun dhe as tani që kandidon për SPAK-un. Çuditërisht, SPAK hodhi në kosh dosjen e OFL-së duke mos i sekustruar pasurinë shokut të Klodjan Brahos, Ervis Gavellit dhe njerëzve të tij, subjekte të ligjit anti-mafia.
Kunati i arrestuar për trafik droge në Itali, Braho e fsheh dhe i mbyll dosjen
Ergus Veraj, i dënuar për trafik droge në Itali, është ndër të paktët subjekte të ligjit anti-mafia që SPAK ia ka certifikuar pasuritë si të ligjshme. Ergus Veraj është kunati i prokurorit të SPAK-ut, Klodjan Braho. Ky i fundit nuk e ka firmosur vetë pastërtinë e pasurive të kunatit trafikant, por vështirë të besohet se nuk ka ndikuar tek kolegu për të shpëtuar kunatin.
Skandali më i rëndë qëndron në faktin se Klodjan Braho nuk e ka deklaruar raportin me kunatin në formularin e pastërtisë së figurës për llogari të procesit të Vetingut. Pas fshehjes së raportit me trafikantin Bledar Gavelli, Klodjan Braho fshehu edhe kunatin trafikant droge. Të dyja lidhjet e papërshtatshme të Brahos nuk janë reflektuar në raportin e DSIK-së për pastërtinë e figurës. Gjithsesi, Komisioni i Vetingut është sinjalizuar nga publiku për faktin se kunati i Brahos është trafikant droge dhe se nuk është deklaruar nga prokurori në formular, duke paraqitur të dhëna të rreme.
Trupa gjykuese e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Roland Ilia dhe Xhensila Pine i kanê kërkuar shpjegime Klodjan Brahos, se pse ka fshehur faktin se kunati Ergus Veraj është një trafikan droge, pjesë e krimit të organizuar në kuptimin e ligjit. Prokurori Braho ka theksuar se nuk ishte në dijeni të aktivitetit të kunatit. Duke operuar me sy standarde, shumica e trupit gjykues kanë “arsyetuar” se Klodjan Braho ishte i sinqertë që nuk ishte në dijeni për aktivitetin e kunatit.
Valbona Sanxhaktari dhe Roland Ilia kanë votuar pro konfirmimit të Klodjan Braho në detyrë duke thyer një standard të vendosur nga Vetingu. Ndërsa Xhensila Pine ka votuar kundër konfirmimit në detyrë. Si për ironi, Klodjan Braho përfaqëson sot Komisionerin Publik në procesin e Vetingut ku kërkon shkarkimin ose konfirmimin në detyrë të prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Këto fakte tregojnë se nëse ka një prokuror të SPAK-ut që bën hetime me porosi, selektive dhe gjueti shtrigash, që mban dhe fsheh lidhjet me krimin, korrupsionin dhe politikanë të diskretituar, ky është Klodjan Braho.
Nëse SPAK nuk e përmbush misionin e tij, pasojat do të jenë skandaloze. Shqiptarët nuk presin më deklarata, ata kërkojnë rezultate, guxim dhe dorë të hekurtë, sidomos ndaj subjekteve të drejtësisë, që nesër i gjithë investimi dhe besimi ndaj këtij institucioni mos të rezultojë si fasada e radhës.






