Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka nisur lëvizjet për t’i dhënë fund kaosit në drejtësi. Për shkak të furtunës që ka sjellë vetingu, në gjykatat dhe prokuroritë e vendit janë krijuar me dhjetëra vakanca, duke sjellë vonesa në shqyrtimin e çështjeve. Ashtu siç ishte planifikuar nga ndërkombëtarët, të ngelurit në veting do të zëvendësohen nga njerëz të papërlyer në afera.
Në seancën e zhvilluar dje, 10 anëtarët e KLP-së, miratuan 35 kandidatë për magjistratë në profilin prokuror në Shkollën e Magjistraturës. Ajo që u vu re është se vendimi i marrë dje nga KLP është i paprecedentë, pasi u dyfishua numri i pranimeve në Shkollën e Magjistraturës. Por siç përmendëm pak më lartë, kjo ka ardhur për pasojë të mungesave që ka lënë vetingu. Kujtojmë se të paktën 50 prokurorë për 2 vite janë shkarkuar nga detyra, pas përballjes me KPK, ose shkarkimet e bëra në shkallën e dytë.
Gjithashtu, gjatë seancës së djeshme, anëtarët e KLP-së miratuan me 10 vota pro projektaktin “Për caktimin e përkohshëm të z.Gjon Fusha në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Gjirokastër”, për një periudhë 3-mujore. Prokurori Fusha është caktuar përkohësisht në postin e drejtuesit në korrik të 2019. Në rendin e ditës ishte edhe komandimi i prokurorëve për pozicione në Prokurorinë e Përgjithshme.
Kujtojmë se vetëm një muaj më parë, KLP hapi procedurën për paraqitjen e kërkesës nga kandidatët që vijnë nga radhët e prokurorëve, për tu komanduar, me pëlqimin e tyre për tre pozicione në Prokurorinë e Përgjithshme. Ndërsa dje, KLP miratoi opinionin mbi kandidatët që kanë aplikuar për postin në fjalë. Sipas KLP-së, kanë kandiduar prokurorët Pranvera Pustina, Olsi Dado dhe Arens Çela, ndërsa sipas kreut të KLP-së, në mbledhjen e ardhshme do të marrë vendimin përfundimtar për kandidaturat e paraqitura. Në seancën e djeshme, KLP-ja njoftoi se prokurori Orgert Rumnici është përjashtuar nga kandidimi për komandim, për shkak se komandimi i tij do të ndikonte në veprimtarinë normale të punës së Prokurorisë pranë Shkallës së Parë Berat. Gjithashtu, anëtarët miratuan me 8 vota pro projektaktin për dhënie leje të papaguar bazuar në kërkesën e prokurores Esmeralda Ndoci, prokurore pranë Prokurorisë së Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, përgjatë periudhës 24 mujore.