Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka anuluar komandimet e kryeprokurores Arta Marku. Kur kjo e fundit mori detyrën, emëroi në mënyrë të përkohshme dhjetëra prokurorë për shkak të vakancave, por dhe ristrukturimit që ndodhi pas largimit të Adriatik Llallës. Por Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka vendosur që të rikthejë në pozicionet e mëparshme plot 27 prokurorë. Me 9 vota pro dhe 1 kundër, atë të Kostaq Belurit, KLP miratoi projektvendimin për emërim me kohë të plotë të prokurorëve.
Arben Allajbeu i cili u caktua nga Arta Marku si prokuror i përkohshëm në Prokurorinë e Shkallës së Parë Durrës, u emërua si prokuror pranë Prokurorisë Tiranë. KLP rrëzoi kryeprokuroren edhe për Astrit Halili, i cili ishte prokuror i përkohshëm në Prokurorinë e Shkallës së Parë Krujë, ku u emërua si prokuror në Prokurorinë e Shkodrës. Edina Kurti, e cila u komandua nga Arta Marku si prokurore e përkohshme në Prokurorinë e Durrësit, me shumicë votash nga KLP u emërua në Prokurorinë e Kavajës. Po ashtu, një tjetër emër që u rikthye në pozicionin e mëparshëm ishte dhe ai i Kreshnik Ajazit, i cili u emërua me vendim të KLP në Prokurorinë e Elbasanit, duke vijuar më tej me Saimir Bahitin, i cili u pozicionua në Prokurorinë e Shkodrës. Edmond Karriqi u emërua prokuror në Gjykatën e Shkallës së Parë Kukës me 10 vota pro. KLP mori vendim edhe për Arben Dylan, ku me 10 vota pro e emëroi prokuror në Gjykatën e Shkallës së Parë Lushnjë. Me të njëjtën shumicë votash u emërua edhe Vjoleta Shkurta në pozicionin e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier dhe projekt–vendimi për zgjatjen e afatit të caktimin e përkohshëm të prokurores Alma Bramo në pozicionin Prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë.
Në mbledhjen e fundit, KLP përveç rikthimit në pozicionet e mëparshme të 27 prokurorëve, miratoi edhe raportin për periudhën kohore dhjetor 2018-korrik 2019. Në njoftimin e KLP theksohet se ndërkohë është shtyrë për mbledhjet e ardhshme miratimi i projekt-aktit “Për rregullat për caktimin mbi bazë të parimit të rotacionit të avokatit mbrojtës nga lista e avokatëve që ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore në procesin penal”. “Këshilli i Lartë i Prokurorisë është mbledhur sot në seancë plenare për të vendosur mbi katër caktime të përkohshme, tre në nivel drejtues prokurorie dhe një në nivel prokuror dhe ka miratuar me shumicë votash raportin “Mbi veprimtarinë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë për periudhën dhjetor 2018-korrik 2019” dhe rregulloren “Për procedurën e verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin, emërimin si magjistrat dhe caktimin në pozicion të kandidatëve për prokurorë, si dhe zhvillimin e karrierës së prokurorëve”. Ndërkohë është shtyrë për mbledhjet e ardhshme miratimi i projekt-aktit “Për rregullat për caktimin mbi bazë të parimit të rotacionit të avokatit mbrojtës nga lista e avokatëve që ofrojnë shërbimet e ndihmës juridike dytësore në procesin penal” dhe projekt-akti “Për rregullat për garantimit e mbrojtjes së detyrueshme””, thuhet në njoftimin e KLP./ Elisjeda Kiko