Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet që të zgjedhë brenda datës 16 qershor Prokurorin e ri të Përgjithshëm. Gara për kryeprokurorin u mbyll në datën 2 maj, ku u regjistruan edhe katër kandidatura në total. Gjatë kësaj kohe KLP ka qenë duke kryer verifikime për garuesit. Më herët Këshilli i Lartë i Prokurorisë pati miratuar edhe një rregullore mbi mënyrën sesi do të zgjidhet emri i ri që do të ulet në tryezën e Prokurorit të Përgjithshëm.
Sipas kësaj rregulloreje, brenda 45 ditëve nga mbyllja e garës, KLP duhet të bëjë vlerësojë dhe rendisë kandidatët. Duke qenë se ky afat mbyllet për pak ditë, pritet që brenda 16 qershorit KLP t’i japë dorën e fundit punës për zgjedhjen e kryeprokurorit. “Brenda 45 ditëve nga përfundimi i afatit të dorëzimit të shprehjeve të interesit,
Këshilli kryen vlerësimin paraprak, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore, të përcaktuara në nenin 4 të kësaj rregulloreje”, thuhet në rregullore. Kujtojmë që emrat që janë në garë janë: Arta Marku, Olsian Çela, Fatjona Memçaj dhe Lulzim Alushaj. I pari që kandidoi ishte prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela, ndërsa u ndoq nga prokurorja e Apelit të Tiranës, Fatjona Memçaj dhe nga avokati Lulzim Alushaj.
Këta dy të fundit aplikuan në të njëjtën ditë. Kandidatura e fundit e regjistruar pranë KLP ishte ajo e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku. Pra, në total janë katër kandidatë që garojnë me njëri-tjetrin për t’u zgjedhur në postin e kryeprokurorit.
Pas përfundimit të procesit të vlerësimit për secilin kandidat, KLP pritet të hartojë listën me emrat që plotësojnë kushtet ligjore dhe të kandidatëve që nuk i plotësojnë këto kushte. Më pas organizohen seanca dëgjimore me kandidatët, për t’i renditur ata nga më i miri deri tek më pak i miri.
KLP i dërgon renditjen me 3 prokurorë Parlamentit, i cili duhet të votojë kandidaturën më të mirë me 84 vota. Në rast se Parlamenti nuk e gjen dot konsensusin, atëherë ka një mekanizëm zhbllokues sepse në ligj është përcaktuar se në këtë moment kryeprokuror zgjidhet automatikisht emri që është renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.