Prej më shumë se dy vitesh në krye të drejtorisë së Burgjeve shqiptare është Agim Ismaili. Ai la drejtimin e një institucioni që kishte si detyrë sigurinë ushqimore të shqiptarëve, për të siguruar që kriminelët në burgjet shqiptare të mos tentojnë të largohen nga qelitë ku vuajnë dënimin.
Tentativa e arratisjes së dy të burgosurve Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri nxori në pah dobësinë e këtij institucioni në zbatimin e rregullave strikte të kontrollit të burgosurve. Tentativa për të ikur në një burg si 313 në mes të Tiranës është alarmante, pasi presupozohet se ai është institucioni IEVP që ruhet më shumë nga të gjithë burgjet e tjera, pasi ndodhet në një zonë të super të banuar dhe në zemër të metropolit shqiptar.
Që prej marrjes së detyrës së Agim Ismailit ka pasur disa auditime të Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi veprimtarinë e këtij institucioni, ku në fokus kanë qenë mënyrat se si janë kryer prokurimet publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
KLSH në një raport të sajin shkruan se “për mos plotësimin e kritereve të veçanta, duke shpallur fitues në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik në 3 procedura tenderuese duke shkaktuar dëmin në vlerën prej 75,632, 935 lekë pa TVSH, si dhe 2 procedura në vlerën 52,041, 839 lekë pa TVSH në kundërshtim me VKM nr.914, “Për miratimin e rregullave të prokurimit publik”.
KLSH në mënyrë eksplicite kërkon vlerësimin e shkeljeve të konstatuara dhe të vendosë marrjen e masave disiplinore “vërejtje deri në largim nga shërbimi civil (për punonjësit që janë pjesë e shërbimit civil, ose largim nga puna për punonjësit që janë punësuar sipas Kodit të Punës: si më poshtë: Agim Ismaili, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve; Avidana Pali, drejtor i Financës; Ardit Tabaku dhe Arjan Koçiaj”.
Për këtë i kërkohet Ministri së Drejtësisë që të marrë masat disiplinore si institucion epror ndaj këtyre personave që kanë qenë pjesë e KVO-së, në komisionin e prokurimit publik. Një raport që mban firmën e kryekontrollorit të KLSH, Arben Shehu, por që është lënë në heshtje nga ana e ministrisë së Drejtësisë sa i përket dëmeve financiare që ka shkaktuar drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve me prokurimet publike.
Edhe më parë Ismaili ka qenë i përfolur se në këto lloj tenderimesh ka favorizuar dhe njerëz e afërm të tij, në lidhje nepotike me nipin e tij, që dikur ishte ish-sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme. Kjo aferë u akuza nga deputeti i opozitës Lefter Maliqi.