Ilir Meta nuk do të pranohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të kandiduar për deputet, kryetar bashkie apo këshilltar bashkiak, pa paraqitur një certifikatë të re të pastërtisë së figurës, lëshuar nga Autoriteti i Dosjeve me në krye Gentiana Sula. Kështu parashikon nisma ligjore e mazhorancës, depozituar në Kuvend, për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, me qëllim për të dekumunistizuar Kuvendin dhe pushtetin vendor.
Projektligji i siguruar nga Report Tv parashikon shtimin e nenit 63/1 në Kodin Zgjedhor për verifikimin e pastërtisë së figurës për kandidatët në zgjedhjet parlamentare dhe vendore. Sipas ndryshimit, partitë politike, 70 ditë para zgjedhjeve, paraqesin një formular për secilin kandidat të tyre në Autoritetin e Dosjeve, në lidhje me ekzistencën për ta, të informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit. Të njëjtën rrugë duhet të ndjekin edhe kandidatët e pavarur.
Autoriteti i Dosjeve është i detyruar të kryejë verifikimin. Nëse vetëdeklarimi është i rremë në raport me rezultatin e verifikimit, çështja referohet nga KQZ-ja në Prokurori, ashtu siç vepron për formularët e rremë në kuadër të ligjit të dekriminalizimit. Ndërkaq, ndryshon pika 3 e nenit 63, duke parashikuar që kandidat për t’u zgjedhur është vetëm personi, për të cilin përfundon me sukses procesi i verifikimit të pastërtisë së figurës. Pra, KQZ nuk regjistron si kandidat një person, i cili rezulton i lidhur me ish Sigurimin e Shtetit.
Autoriteti i Dosjeve ka referuar një dosje në Kuvend, sipas të cilës ish Presidenti Ilir Meta ka qenë bashkëpunëtor i ish Sigurimit të Shtetit, duke nënkuptuar se Meta ka paraqitur certifikata false për pastërtinë e figurës nga komisionet Bezhani dhe Mezini. Ilir Meta ka mohuar se ka qenë spiun i ish Sigurimit të Shtetit, ndërsa ka kallëzuar penalisht anëtarët e Autoritetit të Dosjeve për falsifikim dhe manipulim të dosjeve. Megjithatë, Meta ka paralajmëruar rezistencë ndaj nismave të mazhorancës për largimin e bashkëpunëtorëve të ish Sigurimit të Shtetit nga Kuvendi dhe politika./ Shqiptarja.com