Kryetari i Shoqatës së Avokatëve Penalistë të Shqipërisë, Saimir Vishaj shprehet se ka ardhur koha që të dalin para drejtësisë të gjithë politikanët e përfshirë në afera, korrupsion dhe që janë të lidhur me krimin e organizuar.
Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, avokat Vishaj theksoi se është pro futjes në veting të noterëve dhe politikanëve.
Ndërkohë zoti Vishja shtoi se Ministria e Drejtësisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor, sipas tij, duhet të jenë sa më bashkëpunues me grupet e interesit dhe objektiv në lidhje me hartën gjyqësore, e cila kundërshtohet nga thuajse e gjithë trupa e avokatëve të vendit, por edhe gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët kanë propozuar që të jenë të paktën tre gjykata apeli në vend dhe jo vetëm një siç parashikohet nga KLGJ.
-Avokat Vishaj, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka nisur konsultimet për hartën gjyqësore, ku propozohet që të kemi një gjykatë apeli dhe 12 rrethi. Ju si kreu i Avokatëve Penalistë si e keni pritur këtë hartë? Do e ndihmojë apo do e dëmtojë sistemin?
Unë në cilësinë e kreut të Shoqatës së Avokatëve Penalistë të Shqipërisë, kam dëgjuar më vëmendje të gjithë avokatët penalistë të Shqipërisë, të cilët janë kundër hartës gjyqësore.
Projekti për hartën e re gjyqësore po vjen dhe po bëhet në një moment tepër të gabuar, ku së pari mungojnë kapacitete në sistemin e drejtësisë. Dhe e dyta është se jemi ende herët dhe harta e re gjyqësore nuk po konsultohet me grupet e interesit.
Kështu që nga kjo pikëpamje mendoj që Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të rakordojë detyrimisht me Këshillin e Lartë të Prokurorisë punën për këtë çështje, pasi nuk demontohen vetëm gjykata, duke u shkrirë, por shkrihen edhe organet e prokurorisë nëpër rrethe. Një gjykatë nuk mund të funksionojë pa prokurorinë pranë gjykatës së rrethit gjyqësor.
Ndërkohë se pari duhet të dimë se mirë që do shkrihen gjykatat, po çfarë do të ndodhë me prokurorinë. Sepse një gjykatë nuk funksionon pa prokurorinë. Po ashtu, sa i takon kësaj çështje, mendoj se miratimi i hartës gjyqësore do të shkaktojë shumë probleme për një vendngjarje ku një prokuror nga Kukësi, ku sot do të ngrihet gjykata e përbashkët Kukës dhe Tropojë, të niset në vendin e ngjarjes për në Tropojë, apo një prokuror i Gjirokastrës të shkojë në Sarandë.
Pra këto janë disa nga problem që KLP duhet t’i ketë parashikuar edhe në raport me prokurorinë. Nga ana tjetër, harta e re gjyqësore do të shkaktojë edhe shumë probleme me largësinë, nëse shohim qasjen, ku këtu veçoj dhunën në familje.
Sa i takon dhunës në familje, nëse gjykatat do të shkrihen, i bie që viktimës do t’i krijojmë probleme logjistike, ku ajo do të shkojë nga fshatrat e Sarandës në Gjirokastër për të bërë një padi për dhunën në familje apo për të pretenduar që është viktimë e dhunës në familje. Imagjinon që me miratimin e hartës gjyqësore që i hapet rruga mbylljes së gjykatave të Apelit, në një autobuz apo furgon, do të udhëtojnë së bashku edhe viktima, edhe autori.
Ne si Shoqatë e Avokatëve Penalistë të Shqipërisë dëshirojmë që qytetarët të kenë sa më afër gjykatat, pasi ka vepra penale apo kërkesa që mund t’i zgjidhë vetëm një gjyqtar, siç i bie në rastin konkret ku propozohet që të kemi një gjykatë Apeli dhe 12 rrethi.
Si përfundim unë mendoj dhe jam kundër hartës gjyqësore, pasi sipas meje, gjykatat duhet të ekzistojnë qoftë edhe me një apo dy gjyqtarë, sidomos në lidhjet me kërkesat dhe paditë që kanë një rëndësi të caktuar, siç janë vepra penale deri në shtatë vite që gjykohen edhe nga një gjyqtar i vetëm. Kështu mund të funksionojë, pasi për vepra penale mbi 10 vite, pasandaj i shkojnë ndryshimeve të reja.
-Një ligj që po diskutohet në Kuvend është ai për noterinë. Ju si jurist si e shihni idenë që të futen në veting noterët?
Futja e noterëve në veting, për mendimin tim është e domosdoshme. Është i domosdoshëm vetingu për noterët, pasi puna e noterit pavarësisht momentit të veprimit juridik, duhet që të kemi kapacitetet e noterit që të jenë të besueshëm. E thënë kjo pasi noteria ka të bëjë jo vetëm me pronat dhe trashëgiminë, për të cilat testamentet apo aktet trashëgimore të përcaktuara nga noterët të gjithë kanë qenë pjesë e debateve gjyqësore.
-Një fenomen që vihet re është gjykimi i shkurtuar në gjykata. Ju jeni shprehur më herët se në SPAK pjesa dërrmuese e dosjeve mbyllen me gjykim të shkurtuar, pse ndodh ky fenomen?
Gjykimi i shkurtuar është një lloj gjykimi i posaçëm, kur avokati dhe i pandehuri binden që nuk kanë prova të tjera, atëherë çështja gjykohet mbi bazën e akteve. Por kur shikon që nuk ka shpresë në pafajësi, sidomos në Strukturën e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit që sot janë 0 apo 0,1%, atëherë të gjitha çështjet po kalojnë me gjykim shkurtuar.
Unë nuk e di qoftë edhe tek çështja “Tahiri”, nëqoftëse do të kishte shkuar me gjykim të zakonshëm, mbase do të kishte marrë frytet e veta, pasi ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri është dënuar për një akuzë që nuk është mbrojtur.
-Ju keni qenë pjesë e garës për dy vende vakte në KLGJ dhe 2 në KLP, ku Kuvendi ju skualifikoi ju dhe disa emra të tjerë shumë të votuar…
Është diskriminim dhe vendim politik. U fye mbledhja e rektorëve dhe dekanëve, pasi Kuvendi zgjodhi kandidatë që kishin marrë zero pikë sa i takon vakancave për KLGJ dhe KLP, ndërkohë që skualifikoi nga gara ata që kishin marrë edhe 12 pikë. Në këtë rast politika prevaloi mbi mendimin dhe vendimin e profesorëve të juridikut dhe jurisprudencës.
-Dakord! Por pavarësisht se i përzgjodhi vetë, këtë të enjte kandidatët nga radhët e pedagogëve për KLGJ dhe KLP nuk morën numrin e domosdoshëm të votave, duke u rrëzuar në Kuvendin e Shqipërisë. Keni një koment?
Ky votim përforcoi vlerësimin e drejtë të mbledhjes së Posaçme të Rektorëve të Universiteteve publike dhe jo publike, ku kandidatura ime pati votimin maksimal! Sipas ligjit për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, në rast të tillë, Nënkomisioni procedon në zbatim të nenit 7 të tij, sipas të cilit mund të përzgjedhë kandidatë dhe nga lista e skualifikuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit.
-Sot pas 5 vitesh si e shihni ju vetingun. Ka qenë i suksesshëm?
Duhet të shpresojmë dhe t’i lëmë gjykatat dhe prokuroritë që të fitojnë pavarësinë, ku pushteti gjyqësor të ndahet nga ai politik, që edhe sot ky fenomen është prezent, pavarësisht implementimit të reformës në drejtësi. Pra kemi ndërhyrje të pushtetit ekzekutiv në pushtetin gjyqësor, çka e bën këtë të fundit mosbesues.
Dhe së dyti ka shumë raste që gjatë procesit të rivlerësimit për subjekte të caktuar nuk është mbajtur një standard nga ana e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.
Kemi para që gjatë procesit të vetingut kemi parë që nga njëra anë janë larguar një subjekt i rivlerësimit për një pasuri të pajustifikuar, por është mbajtur bashkëshortja e tij gjyqtare. Ky për mua është problem shumë i madh. Pra kemi parë që janë dhënë dy standarte nga ana e organeve të vetingut.
-Partia Demokratike ka hedhur idenë e vetingut në politikë, proces që duhet ta bëjë SPAK. Mendoni se mund të ketë sukses një proces i tillë?
Për mua është i domosdoshëm vetingu në politikë. Ka ardhur koha që politikanët të hyjnë në veting, pasi deri sa procesi dhe kontrolli preku pushtetin gjyqësor, pse të mos prekë edhe pushtetin legjislativ dhe politik. Si politikani dhe gjyqtari apo prokurori janë në të njëjtë kushte dhe duhet të hyjnë në veting. Megjithatë dua të theksoj se nëse politika dhe politikanët nuk e votojnë vetingun në portikë, i bie që kanë frikë.
Askush nuk duhet të ketë frikë të vetohet, pasi nëse je i pastër je dhe nëse nuk je, nuk je. Pra një politikan nëse nuk justifikon pasurinë dhe ka probleme me anën morale, etike dhe integritetin, nuk duhet të jetë pjesë e politikës dhe pushtetit.
-Prokuroria dhe gjykatat e posaçme po japin rezultate. Kemi ish-kryeprokurorin të dënuar dhe një ish-ministër në qeli. Mendoni se do shkohet te politikanët e paprekshëm?
Ajo që duhet përshëndetur është fakti se Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit është iniciativa që ka guxuar të prekë titullarët e prokurorive, ministra, pse jo nesër le të presim që në rrjetën e SPAK të bjerë një president, kryeministër apo këdo qoftë që hyn në kategorinë e të paprekshmëve.
Kështu që nga kjo pikëpamje mendoj se koha që të shohim para drejtësisë politikanët dhe pushtetarët e lartë ka ardhur./Rigels Seliman