Kolegji i Posaçëm i Apelimit duket se ka hyrë në ngërç. Shkak është bërë dënimi i anëtarit Luan Daci nga gjykata. Ai u dënua me 6 muaj burg nga Apeli i GKKO dhe u konvertua në shërbim prove, pasi u zbulua se kishte falsifikuar dokumentet kur kandidoi për në KPA. Dënimi e nxjerr automatikisht Dacin nga KPA, por ende nuk ka nisur procesi për zëvendësimin e tij.
Aktualisht Kolegji i Posaçëm i Apelimit nga 7 anëtarë që duhet të ketë, ka 6. Madje, një gjë të tillë e dikton edhe “Ligji për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Meta nuk hap procedurat
Sytë tashmë janë tek presidenti Ilir Meta, pasi referuar “Ligjit për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, e konkretisht nenin 7 të tij, është pikërisht kreu i shtetit, ai që duhet të hapë garën për zëvendësimin e Luan Dacit. Neni 7 thotë se është presidenti ai që hap garën për të gjithë anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe rendit edhe kriteret dhe kushtet që duhet të plotësojnë magjistratët dhe juristët e interesuar.
“Presidenti i Republikës shpall menjëherë thirrjen për paraqitjen e shprehjes së interesit për pozicionet e të gjithë anëtarëve të institucioneve të rivlerësimit në faqen zyrtare të internetit, si dhe në dy gazeta me tirazhin më të lartë në vend. Thirrja për paraqitjen e shprehjes së interesit përmban afatin, brenda të cilit duhet të dorëzohet shprehja e interesit, adresën postare ku duhet të dorëzohet dhe listën e dokumenteve që duhet të shoqërojnë atë; Afati për paraqitjen e kërkesës dhe dokumentacionit shoqërues është 15 ditë; Kërkesa e kandidatit regjistrohet në regjistrin e protokollit të Presidentit të Republikës. Kandidati pajiset me një dokument që vërteton numrin e aplikimit, datën dhe listën e dokumenteve të paraqitura”, thuhet në ligj.
Po ashtu, sipas asaj që thuhet në nenin 7 të ligjit për gjyqtarët dhe prokurorët se Presidenti i Republikës pasi hap garën për anëtarët të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, vë në dijeni dhe konsultohet edhe Operacionin Ndërkombëtarët të Monitorit, i cili asiston procesin e vetingut në Shqipëri.
Dënimi i Dacit
Dënimi i parë për Dacin u dha në fillim të dhjetorit 2020, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila e shpalli fajtor dhe e dënoi për veprën penale “Falsifikim të dokumenteve”. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK e akuzonte Luan Dacin se ka falsifikuar dokumentet gjatë aplikimit për pozicionin e tij, përmes paraqitjes së rrethanave të rreme nëpërmjet mosdeklarimit të një mase disiplinore për largim nga puna të vitit 1997.
Prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Klodian Braho, i paraqitën gjykatës konkluzionet, ku kërkuan shpalljen fajtor të gjyqtarit të KPA, Luan Daci dhe dënimin e tij me 1 vit heqje lirie. Në fund gjykata vendosi dënimin e tij me 6 muaj burg. Gjatë shpalljes së vendimit, gjyqtari Sandër Simoni përmblodhi argumentet dhe arsyetimin e tij, ku është bazuar në marrjen e vendimit për dënimin e anëtarit të Kolegjit Luan Daci.
Ai tha se kërkesa për aplikim për një pozicion në institucionet e vetingut nga Daci ka pasqyruar një të dhënë jo të vërtetë, pasi ka fshehur faktin e marrjes së masës disiplinore të shkarkimit nga ana e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitin 1997. Ky vendim mori formë të prerë në Apel, pasi në 8 mars Gjykata e Apelit vendosi po dënimin e tij me 6 muaj burg, duke ja konvertuar në 12 muaj shërbim prove. Por edhe pse ka 2 muaj që ai është dënuar, ende nuk ka nisur procesi i zëvendësimit.