Ka qenë një ankand i pazakontë, i rrethuar nga polemika, por në fund blerja u krye. Një milioner francez, i apasionuar pas objekteve të çuditshme, e ka shtuar koleksionin e tij me një gijotinë.
Gijotina ka qenë mënyrë ekzekutimi në Francë deri në vitin 1977. Vendi do ta hiqte dënimin me vdekje në vitin 1981. Kopja e shitur ka qenë dikur e ekspozuar në një muze torture në Paris.
Pati shumë kundërshtime ndaj shitjes së saj, me argumentin se objekte si instrumentet e torturës apo veshjet e mbajtura nga hebrenjtë e deportuar prej nazistëve nuk duhet të dalin nëpër ankande, sepse njerëzit janë shumë të ndjeshëm ndaj tyre.
Shitja, megjithatë nuk u bllokua dot. I gjithë procesi zgjati vetëm dy minuta. Industrialisti Christophe Février e dyfishoi çmimin fillestar të 4.000 eurove të dhënë për të, e kaq ishte e gjitha.
Gijotina të vërteta janë nxjerrë sakaq nëpër ankande në të kaluarën. Një prej tyre u shit në Paris përpara 7 vitesh për 220 mijë euro. Gijotina u përdor fillimisht gjatë Revolucionit francez. 16.000 personave iu pre koka që nga fillesat e saj e deri kur u hoq përfundimisht në Francë, duke përfshirë edhe Mbretin Luigji i XVI dhe Mbretëreshën Marie Antoinette.