Shqipëri 4-2 Jordani ( Abualnadi (aut) 40′, Broja 65′, Hoxha 75′, N. Bajrami 79′ / Al Rashdan 27′, Olwan 90′)
Fitorja e tre ditëve më parë në Serbi duket se ka karikuar futbollistët e Kombëtares. Shqipëria ia doli të mposhtte 4-2 Jordaninë në miqësoren e kësaj të marte të zhvilluar në stadiumin ‘Air Albania’ në Tiranë. Me afro 9 mijë e 300 tifozë në stadium, kuqezinjtë kanë bërë një figurë të mirë, paçka surprizës dhe golit të shënuar nga Jordania.
Cake dhe Gripshi debutuan me kuqezinjtë, ndërsa Hysaj me 94 ndeshje vendosi rekord për numrin e paraqitjeve me Kombëtaren. Ndërkohë që Hoxha gjeti golin e parë me ekipin, teksa pas afro një viti e gjysmë Broja ia del të shënojë për Kombëtaren.
NDESHJA – Në minutat e para të sfidës ka qenë ekipi ynë që ka dominuar lojën, para se një gabim në prapavijë të nxirrte Al Tamari përballë Dajsinanit. Gardiani kuqezi bëri më të mirën duke e ndalur. Më pas Asani, Daku apo edhe Bajrami nuk u treguan të saktë para portës kundërshtare, paçka rasteve. Në minutën e 27-të stadiumi heshti, kur në zhvillimet e një këndoreje Al Rashadan shënoi me kokë për miqtë. Pas vetëm 13 minutave, Shqipëria barazoi me autogolin e Abualnadi. Një driblim dhe pasim i bukur i Nedim Bajramit bëri që mbrojtësi i Jordanisë të shënonte në portën e tij, për rezultatin 1-1 të pjesës së parë.
Në fraksionin e dytë tanët ishin me tjetër marsh. Gjimshiti, Shehu dhe Asani i lanë vendin Ramadanit, Cakes dhe Gripshit, me këta të fundit që bënë debutimin si kuqezinj. Në minutën e 61 vend kishte edhe për Brojën, që mori vendin e Dakut.
Pas vetëm katër minutave në fushë, Broja përfitoi nga një pasim perfekt i Asllanit dhe i vetëm përballë portierit ia la sferën këtij të fundit mbi kokë, duke dalë vetëm me portën bosh, teksa nuk e pati të vështirë të shënonte golin e përmbysjes për 2-1. Ky ishte goli i dytë për Brojën në epokën Sylvinho dhe i gjashti për të në 31 ndeshje me Kombëtaren. Në 3 qershor 2024 ishte goli i fundit për Brojën me kuqezinjtë, në miqësoren me Lihtenshtajnin.
Pas dhjetë minutash, Arbër Hoxha me një ‘silurë’ nga afro 25 metra shtangu portierin për golin e tretë të tanëve dhe të parin për të me Kombëtaren. Në minutën e 78-të gjithë stadiumi u çua në këmbë, pasi në fushë u fut Elseid Hysaj. Mbrojtësi shkodran me 94 takime për Kombëtaren bëhet futbollisti që ka luajtur më shumë me fanellën kuqezi.
Vetëm një minutë më vonë, Broja asistoi për Bajramin që shënoi golin e katërt dhe të qetësisë. Në fund Olwan shkurtoi shifrat për 4-2, ndërsa ekipi ynë tregoi një lojë të mirë kundër një rivali që tanimë e ka siguruar pjesëmarrjen në finalet e Kupës së Botës 2026. Takimi i sotëm kundër Jordanisë ishte i dyti mes këtyre skuadrave. Ishte 10 tetori i 2018, pra diçka më shumë se shtatë vite më parë kur në ‘Elbasan Arena’ Shqipëria dhe Jordania barazonin 0-0.
Kombëtarja do rikthehet në aksion në muajin nëntor. Në 13 nëntor kuqezinjtë udhëtojnë drejt Andorrës për finalen e madhe që mund të na sigurojë një vend në play-off e Kupës së Botës 2026, ndërsa tre ditë më vonë presim në Tiranë, Anglinë, për ndeshjen e fundit kualifikuese të Grupit K në Kupën e Botës 2026.
Komentet më të rëndësishme të ndeshjes:
90+3′ Mbyllet 4-2 ndeshja në ‘Air Albania’.
90′ Tre minuta shtesë.
90′ GOOL! Jordania shkurton me Olwan.
79′ GOOL! Nedim Bajrami shënon nga brenda zonës pas asistit të Brojës.
78′ Elseid Hysaj futet në fushë dhe Asllani i jep shiritin e kapitenit. Hysaj luan ndeshjen numër 94 me Kombëtaren, duke u bërë futbollisti me më shumë ndeshje për Kombëtaren.
75′ GOOL! Arbër Hoxha shënon golin e parë me fanellën kuqezi. Pas driblimit, goditja e Hoxhës nga 25 metra mori një trajektore që nuk mund të ndalej.
65′ GOOL! Pasim fantastik i Asllanit dhe Broja nga pranë porte ia ngre topin mbi kokë portierit, duke e dërguar më pas në rrjetë. Ky është goli i dytë për Brojën në epokën Sylvinho dhe i gjashti për të në 31 ndeshje me Kombëtaren. Në 3 qershor 2024 ishte goli i fundit për Brojën me kuqezinjtë, në miqësoren me Lihtenshtajnin.
62′ Broja kontrollon bukur dhe pason për Hoxhën, ky i fundit nuk driblon si duhet.
62′ Dajsinani sërish në pozicion.
61′ Armando Broja merr vendin e Mirlind Dakut. Ovacione për Brojën nga tifozët.
58′ Nazmi Gripshi dëmtohet, stafi mjekësor i jep ndihmën e parë.
46′ Fillon pjesa e dytë. Gjimshiti, Shehu dhe Asani mbeten në dhomat e zhveshjes. Në vend të tyre Cake, Ramadani dhe Gripshi. Cake dhe Gripshi debutojnë me Kombëtaren. Asllani merr shiritin e kapitenit.
45+2′ Mbyllet 1-1 pjesa e parë.
45+2′ Alnaimat shumë i shpejtë në zonë, ndalet nga Dajsinani.
45′ Dy minuta shtesë.
40′ GOOL! Nedim Bajrami bën gjithçka mirë dhe pasimi i tij u devijua në portën e tij nga Abualnadi. 1-1 në Tiranë.
27′ GOOL! Një krosim nga këndorja bën që Al Rashdan me kokë të shënojë gol për Jordaninë, në momentin tonë më të mirë.
25′ Shqipëria dominon ndeshjen me raste dhe kontroll loje.
24′ Asani tenton nga jashtë zone, sfera përfundon në tribunë.
21′ Asani pason bukur te Daku, me goditjen e këtij të fundit që pritet nga portieri. Në kthimin e topit, Nedim Bajrami e dërgon sferën jashtë.
18′ Al-Tamari del i vetëm përballë Dajsinanit pas një gabimi në mbrojtjen tonë, portieri kuqezi bën një pritje fantastike.
16′ Jasir Asani provon nga jashtë zone, ndal portieri mik.
10′ Daku merr një pasim në zonë. Topi është shumë i fortë dhe përfundoon në duart e portierit Abulaila.
6′ Rreziku i parë i miqve. Al Rashdan provon me një gjuajtje nga jashtë zone, e cila shkon jashtë.
2′ Al-Hourani dhe Daku përplasen kokë më kokë, ndihmë mjekësore për të dy. Gjendja e tyre është e mirë.
1′ Nis në Tiranë ndeshja mes Shqipërisë dhe Jordanisë me topin e parë shkelmuar nga miqtë.
Formacioni zyrtar:
Shqipëria (4-3-3): Dajsinani; Balliu, Gjimshiti, Mihaj, Mitaj; Asllani, Shehu, N. Bajrami; Hoxha, Asani, Daku Trajner: Sylvinho
Jordania (4-4-2): Abulaila, Abualnadi, Abu Hasheesh, Al Hourani, Al Naimat, Al Quraishi, Al Rashdan, Ibrahin Sa’deh, Nasib, Oluan, Tamari Trajner: Jamal Sellami\