Sot është shënuar 11 vjetori i protestës së përgjakshme të 21 janarit të vitit 2011 ku mbetën të vdekur katër qytetarë.
Paraditen e sotme kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga familjarët e katër viktimave bëri homazhe duke vendosur lule në bulevard në vendin ku dhanë frymën e fundit protestuesit.
Por, komentuesit në faqen e tij në Facebook i kanë kërkuar llogari për drejtësinë e munguar. Kryeministri shprehet se “ato që i takonin, i ka bërë” dhe se tani fjalën e ka drejtësia e re.
Disa nga përgjigjet e Edi Ramës për komentuesit
Komentuesi: Te erdhi dita prap te hedhesh lule ne bulevard…se drejtesi duhen edhe ca vite te demostrosh Zotrote si Kryeminister!
Rama: Po, je shume i sakte, duhet ende kohe qe Reforma ne Drejtesi te jape te gjitha frytet e saj, sepse u be vetem para pak vitet se po te ishte bere qe ne vitet 90 do flisnim ndryshe fare sot! Drejtesia ne demokraci nuk behet me suste, s’jemi ne vitin 1945, kemi nderruar sistem, nuk e ben kryeministri as partia drejtesine lavdi Zotit, prandaj duhet durim sepse ato vendet me drejtesi qe shohim ne, kishin sistem drejtesie te drejte kur ne s’ekzistonim fare si shtet!
Komentuesi: I përjetshëm kujtimi.Po ju z.kryeminister nuk e mbajtët fjalën.Për më shumë sot e kësaj dite jini bërë njësh me vrasësit e tyre.Ju po hiqni zvarë dënimin e kriminelëve.Është turp që sot del dhe kujton ata që ranë për idealet tuaja.
Rama: keto ofendime nuk kane asnje lidhje me faktet e me argumentat, keshtu qe nuk kam cfare them fare sepse kush ofendon nuk do dialog, po do vetem te flase vete e te degjoje vete!
Kujtojmë se shënohet sot 11-vjetori i protestës në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Gjithçka nisi rreth orës 14:00 , kur protestuesit përshkuan rrugën në këmbë nga sheshi “Skënderbej” deri para objektit të Kryeministrisë, pasi policia kishte ndërmarrë masat që të mos lejonte asnjë autobus të vazhdonte më tej.
Turma nisi me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm, ndërkohë që vetëm pak minuta më vonë, filloi hedhja e gurëve dhe sendeve të forta në drejtim të forcave të rendit.
Situata u tensionua pasi protestuesit tentuan të hynë në oborrin e kryeministrisë, ndërsa policia mbronte ambientin e brendshëm. Për një moment nisën të dëgjoheshin të shtëna armësh brenda territorit të Kryeministrisë, dhe këto të shtëna lanë të vdekur Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn.