Çështja e negociatave për Ballkanin Perëndimor do të sjellë eurokomisionerin për zgjerimin, Oliver Varhelyi sot në Tiranë, e cila është vizita e parë në rajon prej marrjes së detyrës në fund të vitit të kaluar. Pas takimeve me kryeministrin francez dhe ministrin e Jashtëm holandez, Varhelyi do t’i përcjellë krerëve të shtetit shqiptar rezervat dhe kërkesat që kanë këto dy vende skeptike ndaj vendit tonë.
Ka qenë Komisioni Evropian, i cili në një njoftim të shpërndarë dje për mediat, bëri me dije diplomati Varhelyi do ta shfrytëzojë vizitën për të theksuar edhe një herë përkushtimin e plotë të Komisionit Evropian ndaj së ardhmes evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
“Gjatë vizitës në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri, e para në Ballkanin Perëndimor si komisioner, dua të dërgoj sinjal të fuqishëm se perspektiva evropiane e rajonit është prioritet, si për mua personalisht, ashtu edhe për Komisionin Evropian. Ne qëndrojmë pas propozimit për të hapur negociatat e pranimit me të dyja vendet dhe punojmë që kjo të ndodhë shumë shpejt”, thotë Komisioni Evropian, teksa citon zotin Varhelyi.
Ndërkohë, Komisioni Europian ka zbardhur edhe detaje nga axhenda e komisionerit për zgjerim në Bashkimin Europian, Olivér Várhelyi. Gjatë vizitës së tij në kryeqytetin shqiptar, zyrtari i lartë i BE-së do të ketë takime me presidentin Ilir Meta, kryeministrin Rama dhe kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi. Gjithashtu sipas Komisionit Europian, eurokomisioneri do të takohet edhe me përfaqësuesit e opozitës, por pa caktuar nëse do të jetë ajo parlamentare apo PD bashkë me aleatët e saj. “Ora 10:30 konferencë e përbashkët me kryeministrin Edi Rama; Ora 12:45 takim me Presidentin Ilir Meta; Ora 15:00 takim me Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi; Ora 16:00 në “Europa House” takim me opozitën”, thuhet në njoftimin e KE.
Ndërkohë, Varhelyi pas takimeve politike do të vizitojë edhe zonat e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit që shkaktoi 51 viktima dhe qindra banesa të shkatërruara. Vizita në Tiranë, vjen pas takimeve të djeshme të eurokomisionerit me përfaqësuesit politikë në Maqedoninë e Veriut. Në fund të marsit, në mbledhjen e Këshillit Europian pritet të merret vendimi nga shtetet anëtare të unionit në lidhje me negociatat për Tiranën dhe Shkupin.