Këshilli i Legjislacionit dhe Komisioni i Ligjeve kanë miratuar sot me konsensus të plotë, ndryshimet që do të bëhen në Kushtetutën e Shqipërisë që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të ketë lista të hapura dhe ndalim të koalicioneve parazgjedhore.
Drafti me propozimet e opozitës parlamentare u miratua sot nen për nen dhe tani do të kalojnë në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku për ndryshimet Kushtetuese duhen 94 vota.
Pas kësaj një reagim ka ardhur edhe nga deputetja Rudina Hajdari, e cila pak ditë më parë ka bërë me dije se një forcë e re politike do të krijohet.
“Koha kur përplasen njerëzit për pushtet dhe jo idetë për zhvillim duhet të marrë fund. Politika duhet të shërbejë për të ngjallur shpresë dhe ëndrra për një jetë më të mirë, e jo urrejtje e dhunë mes njerëzve. Nuk do ndalemi! Faleminderit! ”-shkruan Hajdari në Twitter.