Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Andi Seferi u shpreh sot gjatë një interviste për mediet, se në sheshin “Skënderbej” do të ketë nesër plot surpriza, që nga festivali i dritave, koncerti, ndërsa nuk do të mungojë as spektakli i fishekzjarreve. Seferi u shpreh se në skenën e koncertit në sheshin “Skënderbej”, numërimi mbrapsht në natën e ndërrimit të viteve do të bëhet nga kryebashkiaku Erion Veliaj.
“Do të ketë një klimë shumë festive. Por duhet bërë edhe marrja e masave për të garantuar spektaklin. Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit po punojnë për një plan për të mirëmenaxhuar trafikun e automjeteve dhe lëvizjet e qytetarëve. Qytetarët do të orientohen në pika të veçanta. Por edhe automjetet që qarkullojnë përreth sheshit dhe rrugëve periferike. Vetëm nga ana e policisë bashkiake ka një prezencë prej mbi 100 efektivë të shtuar për këto dy mbrëmje, sidomos për mbrëmjen e nesërme.
Risi është festivali i dritave. Ndriçimi i fasadave i shoqëruar me muzikë, do të ndodhë edhe në këto 2 mbrëmje prej orës 17:30 deri në 22:00. Data 31 dhjetor tanimë po kthehet në një emblemë të kryeqytetit. Përpos festivitetit që jep fshati në sheshin “Skënderbej” do të fillojë edhe koncerti i madh me emrat më të mëdhenj të muzikës shqiptare. Do të ketë spektakël fishekzjarrësh që do të jenë prezentë si gjithmonë. Numërimi i ndërrimit të viteve do të bëhet nga kryebashkiaku Veliaj”, tha Seferi./ATSH/
by TaboolaSponsored Links