Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu ka organizuar një pritje-koncert me rastin e 242-vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Pallatin e Brigadave.
Koncerti “Red, White & Blues” priti shumë figura të njohura të politikës, por edhe nga shoqëria civile, besimet fetare dhe gazetarë.
Në pritje ka qenë i pranishëm Presidenti Ilir Meta, kreu i PD-së Lulzim Basha, ish-presidenti Bamir Topi, kreu i Kuvendit Gramoz Ruçi, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, deputetja e LSI Klajda Gjosha etj.
Pavarësisht debateve dhe mospajtimeve për shumë çështje, në hyrje nuk kanë munguar takimet miqësore dhe madje përqafimet mes të pranishmëve, raporton Balkanweb.
Mbrëmja ka pasur edhe një kod, xhinset, të veshura nga pjesa më e madhe e të ftuarve por duket se i vetmi që ka thyer protokollin ka qenë Presidenti Ilir Meta, i cili nuk e ka hequr kostumin.
MESAZHI I DONALD LU
Një moment i veçantë ka qenë edhe përshëndetja e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara Donald Lu, i cili ka dhënë një mesazh në atë që e quajti koncertin e fundit të Ditës së Pavarësisë në Shqipëri.
Duke qenë se ambasadori Lu largohet këtë verë, ai tha se ishte një nder për të për këtë udhëtim të bërë bashkë.
“Të nderuar zonja e zotërinj mirë se erdhët në festimin tonë të muzikës amerikane blues. Kjo traditë muzikore është mbi 100-vjeçare dhe nisi me afro-amerikanët.
Jemi të nderuar që disa prej muzikantëve më të mirë të Shqipërisë do të interpretojnë sot këngët amerikane.
Meqë ky është koncerti im i fundit i Ditës së Pavarësisë me ju, më lejoni të them që ka qenë një nder i madh që kam bërë këtë udhëtim me ju”, tha Lu në fjalën e tij të shkurtër para të pranishmëve që më pas kanë vijuar festën.