Nga av. Gurali Brahimllari
Duke ndjekur me vëmendje vendimet më të fundit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), është e domosdoshme të rikthehemi te një çështje ende problematike në praktikën tonë gjyqësore: konfiskimi i pasurive të fituara në mirëbesim nga persona të tretë, në procese penale që zhvillohen kuundër personave të tjerë.
Në çdo rast, barrën e provës për konfiskimin e pasurisë e ka vetëm Prokuroria. Kur pasuria ka kaluar në favor të personave të tretë, ajo duhet të provojë me fakte të qarta se këta persona janë përfshirë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, në veprimtarinë kriminale.
Në të kundërt, Gjykata është e detyruar të pranojë në proces palën e interesuar dhe të respektojë nenin 190/1/a të Kodit të Procedurës Penale, që ndalon konfiskimin e sendeve që u përkasin personave që nuk kanë marrë pjesë në kryerjen e veprës penale.
Megjithatë, në praktikë, shpesh janë dhënë vendime që cenojnë të drejtat themelore për një proces të rregullt ligjor. Ka pasur raste kur personat e tretë nuk janë thirrur si palë në gjyq, nuk janë dëgjuar, madje nuk janë legjitimuar as në shkallën e Apelit — duke u mohuar kështu e drejta për mbrojtje dhe për pronë.
Çfarë thotë Strasburgu?
Jurisprudenca e GJEDNJ-së e ka bërë të qartë ndarjen mes masave pasurore parandaluese (si ato të ligjeve antimafia) dhe masave të sekuestrimit apo konfiskimit penal. Në çdo rast, ajo ka theksuar paprekshmërinë e të drejtave të personave të tretë që kanë fituar pronën në mirëbesim dhe të drejtën e tyre për proces të rregullt ligjor.
Dy vendimet më të fundit të GJEDNJ-së ndaj Italisë janë veçanërisht të rëndësishme për vendin tonë, pasi kanë ngjashmëri të plotë me praktikat që janë ndjekur në Shqipëri gjatë viteve të fundit, sidomos me masat e parashikuara nga akti normativ nr. 01/2020, i njohur si “OFL”.
Rasti “Isaia dhe të tjerë kundër Italisë” – 25 shtator 2025
Në këtë vendim, GJEDNJ trajtoi rastin e konfiskimit të pasurive të familjarëve të një personi të dënuar për veprimtari kriminale të zhvilluar gjatë viteve 1980–2008. Gjykata konstatoi se nuk kishte asnjë lidhje të provuar midis kohës së krijimit të pasurisë dhe veprimtarisë kriminale të të dënuarit.
Për pasojë, u vendos se konfiskimi i pasurive të bashkëshortes dhe djalit të tij ishte i paligjshëm, pasi nuk kishte prova që këto pasuri ishin produkt i krimit.
Rasti “Petruzzo dhe të tjerë kundër Italisë” – 9 tetor 2025
Edhe më i qartë është rasti “Petruzzo”. Aty autoritetet italiane kishin shtrirë konfiskimin mbi pasuri të paluajtshme të blera me kontrata noteriale disa vite përpara se shitësit e tyre të akuzoheshin për vepra penale.
GJEDNJ konstatoi se ky konfiskim përbënte dënim penal ndaj personave të tretë, të cilët nuk kishin qenë pjesëmarrës në procesin gjyqësor dhe ndaj të cilëve nuk ishte ngritur asnjë akuzë.
Gjykata vlerësoi se kjo përbënte shkelje të nenit 7 të Konventës Evropiane, që ndalon dënimin pa vepër penale, si dhe shkelje të nenit 6, për mungesë të të drejtës së mbrojtjes dhe dëgjimit në proces.
Në fund, GJEDNJ njohu edhe shkeljen e të drejtës për gëzimin e qetë të pronës private (neni 1, Protokolli 1 i KEDNJ) dhe urdhëroi kthimin e pasurive tek personat e tretë, si dhe kompensimin për dëmet morale e shpenzimet e mbajtura.
Një paralajmërim për drejtësinë shqiptare
Këto vendime janë të detyrueshme për t’u respektuar edhe nga gjykatat shqiptare, në zbatim të neneve 17, 116 dhe 122 të Kushtetutës.
Ato duhet të shërbejnë si sinjal reflektimi për të gjithë aktorët e drejtësisë, veçanërisht për Prokurorët dhe Gjyqtarët e Posaçëm, të cilët në disa raste kanë ndjekur një praktikë të ngjashme me atë të kritikuar në Itali: konfiskimin e pasurive të personave që nuk kanë asnjë lidhje me veprën penale.
Një dritë e re: Projekti i Kodit të ri Penal
Është për t’u vlerësuar që projekti i ri i Kodit Penal, aktualisht në diskutim, ka një qasje më të drejtë dhe të balancuar ndaj kësaj çështjeje.
Në nenin 75 parashikohet për herë të parë mundësia e konfiskimit ndaj të tretëve, por vetëm kur ata kanë ditur ose duhej të kishin ditur se blerja apo tjetërsimi i pasurisë kishte për qëllim shmangien e konfiskimit.
Më e rëndësishmja: paragrafi 3 i këtij neni garanton shprehimisht se “konfiskimi nuk cenon të drejtat e palëve të treta që janë në mirëbesim.”
Në përfundim, deri në miratimin e Kodit të ri Penal, jurisprudenca e GJEDNJ-së duhet të udhëheqë praktikën gjyqësore shqiptare në çështjet që lidhen me konfiskimin e pasurive.
Në respekt të neneve 30 dhe 36 të Kodit Penal, është e drejtë që pasuritë e fituara nga krimi të hiqen nga duart e tij.
Por njëkohësisht, është detyrim kushtetues dhe njerëzor të mbrohen të drejtat e pronësisë së atyre që kanë vepruar në mirëbesim, duke garantuar në çdo rast proces të rregullt ligjor sipas neneve 17, 41 e 42 të Kushtetutës dhe neneve 6, 7 e 1/Protokolli 1 të KEDNJ-së.