Policia e Tiranës ka zbardhur atentatin e mbrëmjes së të shtunës te sheshi “Shqiponja”, ku mbeti i plagosur një 34- vjeçar.
Burime zyrtare të Policisë thanë se kanë identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e ngjarjes. Ai akuzohet për “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “armëmbajtje pa leje”.
Ndërsa dy plumbat e tjerë që u shkrepën në drejtim të tij, kanë goditur makinën. Brinja ka qenë duke udhëtuar me automjetin e tij tip “Volksvagen” në momentin që është qëlluar me armë zjarri.
Sipas Policisë, edhe autori ndodhej si pasagjer në një automjet që ka kaluar paralel me makinën e të plagosurit dhe pas të shtënave është larguar me shpejtësi.
I plagosuri është paraqitur vetë në Spitalin e Traumës për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa ka lajmëruar edhe Policinë për atentatin ndaj tij.
Policia në vendin e ngjarjes ka gjetur tri gëzhoja arme zjarri dhe pas hetimeve intensive ka arritur të identifikojë e të shpallë në kërkim autorin. Vetë i plagosuri gjatë dëshmisë që ka dhënë në ambientet e spitalit, ku qëndroi për disa orë, ka deklaruar se nuk ka probleme me njeri. Megjithatë, burimet thanë se po hetohet në drejtim të ndonjë konflikti të vjetër që mund të ketë pasur i plagosuri me autorin e ngjarjes.
Policia ka identifikuar mjetin me të cilin është larguar autori i krimit dhe ka ngritur pika kontrolli për ta bllokuar. Ndërsa ende nuk dihet se kush ka qenë në drejtim të kësaj makine.
Burimet tregohen të rezervuara për motivin e ngjarjes, por saktësojnë se bëhet fjalë për një konflikt të hershëm që i plagosuri ka pasur me shtetasin e shpallur në kërkim, 37-vjeçarin me iniciale T.A..
Policia tha se materialet i kaluan Prokurorisë se Tiranës për veprat penale “Vrasje me paramendim” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Prodhim e mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”./ ETLEVA DELIA