Degët e Partisë Demokratike në shumë qarqe kanë vendosur të mos lejojnë mbajtjen e referendumit të organizuar nga ish-kryeministri Sali Berisha.
Deputetët dhe njerëzit pranë tij kanë filluar përgatitjet, por janë përballur me surpriza. Mësohet se janë kyçur me dry portat kryesore të degëve të Partisë Demokratike në Shkodër, Elbasan, Cërrik dhe Gjirokastër. Selia e PD në Shkodër ka qenë me kangjella të mbyllura dhe dyer të kyçura.
Kjo situatë është denoncuar nga një anëtar i kryesisë së PD i cili i ka bërë thirrje kryetarit të degës që të distancohet nga lajthitja e kreut demokrat pasi selia e PD nuk është pronë e askujt, por e demokratëve. Pasi selisë së PD në Shkodër iu vu kyçi, asaj në Elbasan i është ndryshuar brava. Këtë fakt e ka denoncuar deputeti demokrat Luçiano Boçi i cili u shpreh se Basha ka frikë nga anëtarësia prandaj janë ndërruar bravat e dyerve.
Ai tha se Basha do të zyrtarizojë përçarjen, por është vendosur në panik nga anëtarësia dhe nga verdikti i saj. Sipas deputetit, është marrëzi t’i mbyllesh demokratëve derën e shtëpisë së tyre. “Të kesh frikë nga anëtarësia. Edhe në Elbasan PD ndërron bravat e dyerve?! Me urdhër nga lart kuptohet. Ndonëse po vrapojnë për të zyrtarizuar përçarjen, janë në panik nga anëtarësia dhe verdikti i saj.
E tmerrshme se si mund të përfundojnë në këtë derexhe. Po vota nuk është thjeshtë një letër që hidhet në një kuti. Votën anëtarësia e ka shprehur, e ka dhënë çdo ditë. Po ne sa e sa herë i kemi ftuar i kemi thirrur të votojnë, duke rrahur gjoksin e duke thënë: Sa shumë janë njerëzit tanë? Tani ju i përzini, ju i refuzoni, i mbyllni derën e shtëpisë së vet?! Ju qofshi në marrëzinë tuaj”, tha Boçi.
Po ashtu janë mbyllur dyert dhe më pas u janë ndërruar bravat selisë së PD në Gjirokastër dhe asaj në Korçë. Sipas burimeve 60 degë janë rreshtuar krah Bashës dhe nuk lejojnë që të mbahet votimi për referendumin e 18 dhjetorit. Kjo ka bërë që Berisha të organizojë votimin nëpër lokale dhe ambiente të tjera.
Regjistrimi i statutit në gjykatë, frikë për puç
Ndërkohë ditën e djeshme është caktuar gjyqtari që do të shqyrtojë kërkesën nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit të Partisë Demokratike për ndryshimet statutore të miratuara në Kuvendin Kombëtar të 11 dhjetorit. Shorti i hedhur në Gjykatën e Tiranës, ka përcaktuar gjyqtarin Agron Zhukri.
Në kërkesën e depozituar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Tiranës, kërkohet njohja e ndryshimeve të votuara me dorë nga delegatët në Kuvendin e 11 dhjetorit. “Ditën e djeshme, datë 15.12.2021, është depozituar në Gjykatën e Tiranës, Dhoma Civile, kërkesë nga PDSH, me objekt “Depozitim ndryshimesh statutore dhe vendimmarrje të Kuvendit Kombëtar”, njoftoi Gjykata.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Çlirim Gjata. Sipas tij nëse gjykata nuk bën regjistrimin e statutit të ri të miratuar në Kuvendin Kombëtar, domethënë ka ndërhyrje të fortë politike ç’ka tregon se ish-kryeministri është i frikësuar nga ndonjë ndërhyrje. “Gjykata duhet të regjistrojë statutin tonë të ri, i korrikut ka rënë. Gjykata thjeshtë bën depozitimin. Nëse Gjykata nuk bën regjistrimin e statutit të datës 11 domethënë që ka një ndërhyrje tepër të fuqishme politike. Sepse nuk ka asnjë arsye dhe as shkak ligjor që Gjykata të mos e regjistrojë”, tha ai.