Biznesmeni Behgjet Pacolli është paraqitur paraditen e sotme në Prokurorinë e Tiranës ku është pyetur si person në dijeni lidhur me hetimet që po kryhen për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës. Pacolli është kallëzues, por gjithashtu dhe i kallëzuar nga ortaku i tij Valon Ademi.
Pacolli zotëron 98% të aksioneve të Aeroportit të Vlorës nëpërmjet kompanisë së tij ‘Mabco Construction SA’. Gjithashtu dhe Valon Ademi është aksioner dhe pronar i kompanisë ‘2A Group’.
Pacolli është marrë në pyetje për disa orë nga prokurori Ndini Tavani. Pasi doli nga institucioni, Pacolli i është përgjigjur interesit të mediave ku qartësoi arsyen e thirrjes së tij në prokurori. Ndër të tjera, Pacolli reagoi dhe kur u përmend Edi Rama, duke thënë se qeveria nuk ka asnjë lidhje me këtë çështje.
“Dhashë dëshmi për përgjigjen penale që ne kemi parashtruar, dhe si person i informuar duket se është e drejtë që të shkoj dhe të tregoj kronologjinë e çështjeve. Pala tjetër ka bërë kallëzim, ne jemi përgjegjës. Vëllai im ka bërë kallëzim dhe unë isha si person i informuar për të plotësuar dosjen me informata.
Qeveria nuk ka asgjë të bëjë. E padrejtë që të përmendet dikush nga qeveria. E kam lënë në duart e drejtësisë”, tha Pacolli.
Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe shtetasin Nelson Çela, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A. Të tre ata janë nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.
Gjithashtu prokuroria ka pezulluar çdo aktivitet të Shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” SH.P.K., duke pezulluar çdo vendim të planifikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve, e cila ishte caktuar të mbahej më 20 tetor 2025.
Gjithashtu, në bazë të vendimit që publikoi gazeta ‘TemA’, pezullohet e drejta e votës e ortakut të shumicës, Shoqërisë “Mabco Constructions SA”, deri në regjistrimin e kontratës së shitjes së 49% të kuotave të kapitalit të shoqërisë VIA sh.p.k., të transferuara më 3 prill 2025 tek blerësi “2A Group” sh.p.k.






