Prokuroria e Krimeve të Rënda ka thelluar hetimet ndaj ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Ai është duke u hetuar për 4 vepra penale dhe duket se telashet po i shtohen. Burime të sigurta të gazetës pranë prokurorisë bënë me dije se hetimet ndaj Llallës kanë dalë përtej kufijve. Ai po hetohet për korrupsion, shpërdorim detyre, pastrim parash dhe mosdeklarim të ardhurash në kufi. Pista ku organi i akuzës është përqendruar më tepër është ajo e pastrimit të parave, gjë që solli më pas dhe sekuestrimin e pronave të tij. Por gazeta ka mësuar se organi i akuzës po kryen verifikime dhe jashtë vendit, pasi ka dyshime se mund të ketë dhe në vende të BE llogari bankare apo prona.
Prokuroria ka bërë lidhjen e veprës së pastrimit të parave me mosdeklarimin e parave në kufi. Llalla është zbuluar se ka kaluar në një pikë kufitare me shuma të mëdha parash në gjendje cash. Bëhet fjalë për shuma mbi 10 mijë euro. Organi i akuzës mësohet se ka marrë të gjitha të dhënat e sistemit TIMS mbi kalimet jashtë vendit të Llallës gjatë viteve të fundit. Dyshimet janë se ai mund të ketë kaluar dhe herë të tjera me para cash dhe nëse ka ndodhur kjo, atëherë është një skemë e pastrimit të parave jashtë vendit. Po ashtu gazeta ka mësuar se janë verifikuar pranë bankave të nivelit të dytë të gjitha llogaritë bankare të tij, duke shikuar transaksionet brenda dhe jashtë vendit.
Në lojë ka hyrë dhe Drejtoria e Pastrimit të Parave, e cila që më herët ka kryer verifikime për Llallën në kuadër të vetingut. Gazeta e deklaroi më parë se një ndër arsyet që vuri në lëvizje prokurorinë ishin dhe fotot e fëmijëve të Llallës në makina e hotele të shtrenjta. Fotot ata i kanë kryer të gjitha jashtë shtetit. Kjo ka bërë që të kryhen verifikime në të gjitha shtetet ku Llalla ka qëndruar.
Po ashtu gazeta ka mësuar se janë angazhuar dhe autoritetet partnere për të kryer verifikime dhe dërguar të dhënat që disponojnë. Nga ana tjetër, Llalla është momentalisht në Tiranë, por ende nuk ka një vendim nga prokuroria për ta marrë në pyetje. Llalla ankimoi dhe vendimin për sekuestrimin e pronave, por fakti që gjykata nuk e pranoi, tregon se organi i akuzës ka prova të forta ndaj tij.
Sekuestrimi i pasurive
Më 20 korrik prokuroria ka vendosur në sekuestro preventive pasurinë e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Prokuroria në atë kohë bëri me dije se u bë sekuestrimi i një apartamenti banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës. Po ashtu në sekuestro janë vënë: tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë.
Prokuroria ka dyshime se përmes këtyre pronave ka pasur pastrim parash. Në bazë të deklarimeve të pasurisë që ka bërë Llalla pranë ILDKP, ai çdo vit ka bërë rivlerësim të tokave. Ajo që bie në sy është se Llalla ka blerë toka shumë lirë fillimisht dhe më pas ka deklaruar sesi ka shitur shumë shtrenjtë. Për shembull, në vitin 2007 Llalla ka deklaruar një ullishte në Bathore, blerë 1.5 milionë lekë. Në vitin 2011 ai e rivlerëson pronën në vlerë 21 milionë lekë të reja. Ndërsa po e njëjta pronë në vitin 2016 është shitur 249 mijë euro. Po ashtu ndryshime në vlerë ka pasur dhe për apartamentin në Durrës dhe objekte të tjera./Kliti TOPALLI