Deputeti i grupit parlamentar demokrat Korab Lita akuzon qeverinë se po pengon procesin e ngritjes së institucioneve të Drejtësisë.
Përpara deputetëve, Lita e quajti mazhorancën si ‘’KÇK’’ duke i fajësuar se janë ata që kanë caktuar zyrtarët e lartë të drejtësisë të korruptuar me të cilët kanë bashkëpunuar prej shumë vitesh. Vonesa e krijimit të organeve të reja të drejtësisë, sipas Litës, tregon se qeveria po bën çdo gjë që ta marrë nën kontroll sistemin e drejtësisë.
‘’Çdo ditë që kalon në reformën në drejtësi është humbje. Shqipëria ka emergjencë kombëtare, jemi pa sistem gjyqësor dhe me njerëz të korruptuar. E katandisët gjyqësorin ta bëni veglën tuaj të përfitoni çfarë të mundni.
Ju jeni grupi kryesor ‘KÇK’, i keni emëruar ju, i keni emëruar për 30 vite dhe keni bashkëpunuar me ta. Keni përdorur çdo lloj makinacioni për t’u vendosur shkopinj nën rrota.
Vota jonë është zhbllokimi i reformës në drejtësi. Nuk ka si të shpjegohet vonesa e 3 reformave. Jemi në mes të nëntorit dhe kemi dy kandidatët e parë, po me Gjykatën e Lartë, po me Byronë e Hetimit ç’bëhet? Shumica e kësaj klase politike janë pjesë e këtij proçesi dhe ata nuk mund të bëjnë drejtësi vetë, prandaj po e vonojnë këtë proçes’’, u shpreh Lita.