Koreja e Jugut është zhytur në pasiguri politike pas shpalljes së gjëndjes së jashtëzakonshme ushtarake (shtetrrethim) nga presidenti Yoon Suk-yeol, në një fjalim publik befasues natën vonë të martës (3 dhjetor).
Presidenti i Koresë së Jugut hpalli gjendjen e jashtëzakonshme ushtarake, pasi e konsideroi të nevojshme për të mbrojtur vendin nga forcat komuniste të Koresë së Veriut dhe për të eliminuar elementët kundër shtetit.
Ai u zotua të çrrënjosë “forcat e paturpshme anti-shtetërore pro-koreane të Veriut” dhe tha se nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të merrte masën për të mbrojtur rendin kushtetues.
“Për të ruajtur Korenë e Jugut si një shtet të lirë dhe për të eliminuar elementët anti-shtetërorë filo-veriorë që kërcënojnë lirinë e popullit tonë, shpall ligjin ushtarak emergjent,” deklaroi presidenti.
Por deputetët që u mblodhën në parlamentin e Koresë së Jugut votuan njëzëri për të bllokuar dekretin e tij. Sipas Kushtetutës, presidenti ka të drejtë të shpallë ligjin ushtarak në rast lufte ose emergjence kombëtare, por duhet ta anulojë atë nëse Asambleja Kombëtare voton për shfuqizimin e tij.
Yoon tha se masa ishte e nevojshme për të mbrojtur vendin nga “forcat komuniste” në Korenë e Veriut. Vendimi i tij vjen pasi opozita kryesore Partia Demokratike ka tentuar vazhdimisht të fajësojë zyrtarët e qeverisë, gjë që Yoon thotë se ka paralizuar qeverinë.
Pamjet e publikuara në media tregojnë si anëtarët e parlamentit të Koresë së Jugut por dhe demonstrues përleshen me autoritetet jashtë ndërtesës së Asamblesë Kombëtare të vendit në Seul teksa tentonin të hynin.
Është hera e parë që nga viti 1980 që shpallet ligji i jashtëzakonshëm ushtarak në Korenë e Jugut.
Shtetet e Bashkuara janë në kontakt me qeverinë e Koresë së Jugut dhe po monitorojnë situatën nga afër, tha një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë. Rreth 28,500 trupa amerikane janë vendosur në Korenë e Jugut për t’u mbrojtur kundër Phenianit. \
Përballë presionit politik, presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol, ka shpallur ligjin e shtetrrethimit në vendin demokratik për herë të parë pas më shumë se 50 vitesh, duke nxitur protesta pranë ndërtesës së parlamentit.
Deklarata e bërë vonë natën – në orën 23:00 me orën lokale (14:00 GMT) – bëri që qytetarët të mendonin menjëherë se bëhej fjalë për një çështje që lidhej me Korenë e Veriut, fqinjën bërthamore të Jugut, ose për një situatë kritike të sigurisë kombëtare, si një akt terrorizmi apo grusht shteti.
Megjithatë, shumë shpejt u bë e qartë se Yoon kishte ndërmarrë këtë veprim drastik si përgjigje ndaj një sërë ngjarjesh politike.
Pasi humbi kontrollin e parlamentit më herët gjatë vitit, qeveria e tij ishte përballur me një seri projektreformash dhe mocionesh të opozitës që synonin minimin e pushtetit të tij. Vëzhguesit politikë thonë se Yoon tani është detyruar të përdorë ligjin e shtetrrethimit – një sundim i përkohshëm ushtarak – si një taktikë jodemokratike për t’u mbrojtur nga sulmet politike.
Cili ishte reagimi i menjëhershëm?
Të martën, udhëheqësit e opozitës dënuan menjëherë këtë veprim si antikushtetues.
Lideri i partisë kryesore të opozitës, Lee Jae-myung, u bëri thirrje deputetëve të Partisë Demokratike të mblidhen në parlament të martën mbrëma për të votuar kundër shpalljes së shtetrrethimit.
Por në Seul, autobusat e policisë ishin vendosur tashmë për të bllokuar hyrjen në ndërtesën e parlamentit, siç raportuan mediat lokale.
Megjithatë, protestuesit nxituan drejt ndërtesës së Asamblesë Kombëtare, duke protestuar dhe duke thirrur: “Jo shtetrrethim! Jo shtetrrethim!”. Ata u përplasën me radhët e policisë që ruanin ndërtesën.
Sa i rëndësishëm është ligji i shtetrrethimit?
Ligji i shtetrrethimit është një sundim i përkohshëm nga autoritetet ushtarake në një kohë emergjence, kur autoritetet civile konsiderohen të paafta për të funksionuar.
Hera e fundit që u shpall në Korenë e Jugut ishte në vitin 1979, kur një president afatgjatë u vra gjatë një grushti shteti. Që nga vendosja e demokracisë parlamentare në vitin 1987, nuk është shpallur më.
Por të martën, Yoon e bëri këtë deklaratë në një fjalim kombëtar, duke thënë se po vendoste sundimin ushtarak për shkak të një kërcënimi nga “forcat kundër shtetit”.
Nën ligjin e shtetrrethimit, ushtria merr kompetenca të veçanta dhe mund të pezullohen mbrojtjet dhe procedurat e zakonshme ligjore.
Cili është konteksti politik?
Që nga zgjedhjet e përgjithshme të prillit, Yoon ka qenë një president i dobësuar, pasi opozita fitoi një shumicë dërrmuese. Qeveria e tij nuk ka qenë në gjendje të miratojë ligjet që dëshironte dhe është reduktuar në përdorimin e vetos kundër ligjeve të miratuara nga opozita.
Popullariteti i tij ka rënë ndjeshëm, pasi është përfshirë në disa skandale korrupsioni dhe ndikimi politik – përfshirë një rast që përfshin Zonjën e Parë dhe pranimin e një çante Dior, si dhe një tjetër për manipulim aksionesh.
Muajin e kaluar, Yoon u detyrua të kërkonte falje publikisht, duke deklaruar se po krijonte një zyrë për të mbikëqyrur detyrat e Zonjës së Parë. Megjithatë, ai refuzoi një hetim më të gjerë ose të pavarur, siç kishte kërkuar opozita.
Këtë javë, opozita propozoi uljen e buxheteve të qeverisë – dhe një ligj për buxhetin nuk mund të vetohet. Në të njëjtën kohë, opozita kërkoi shkarkimin e anëtarëve të kabinetit, përfshirë kreun e agjencisë së auditimit, për moshetimin e Zonjës së Parë.
Çfarë ndodh tani?
Deklarata e Yoon-it zuri shumë njerëz në befasi – situata po zhvillohet me shpejtësi.
Opozita politike u ka bërë thirrje qytetarëve të protestojnë paqësisht para parlamentit – demonstratat masive paqësore janë të zakonshme në Korenë e Jugut dhe kanë qenë efektive në ndryshimin e qeverive më parë.
Partia kryesore opozitare, Partia Demokratike, të martën mbrëma kërkoi që të gjithë ligjvënësit e saj të mblidhen në Asamblenë Kombëtare. Sipas ligjit korean, qeveria duhet të heqë ligjin e shtetrrethimit nëse shumica në parlament – Asamblenë Kombëtare – e kërkon këtë përmes një votimi. Po ashtu, ligji ndalon komandën e shtetrrethimit të arrestojë ligjvënësit.
Megjithatë, autobusët e policisë janë vendosur tashmë përpara ndërtesës, duke u parë si një barrikadë për të ndaluar ligjvënësit të hyjnë në asamble.
Gjithashtu ka përçarje brenda partisë së Yoon-it, Partisë së Fuqisë së Popullit. Lideri i saj, Han Dong-hoon, e ka quajtur shpalljen e ligjit të shtetrrethimit një veprim të “gabuar”, raporton agjencia Yonhap. Ai është zotuar ta bllokojë këtë ligj./ BBC