Kortezhi i Kryepeshkopit Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta në moshën 95-vjeçar, mbërrin sot me rrugë tokësore nga Greqia drejt Shqipërisë, përmes pikës kufitare të Kakavjsë. Sipas mediave greke, shumë besimtarë po i japin lamtumirën e fundit kryepeshkopit në Kakavijë, teksa kortezhi kaloi pikën kufitare.
Pritja e shenjtërimit dhe homazhet për Kryepeshkopin Anastas, do të mbahen në Katedralen e Ngjalljes së Krishtit në Tiranë të martën, më 28 janar, në orën 16:00. Ceremonia e varrimit do të bëhet të enjten e 30 janarit, ku Kryepeshkopit Anastas do t’i jepet lamtumira e fundit pas liturgjisë hyjnore në katedralen “Ngjallja e Krishtit”, në orën 11:00.
Mësohet se në ceremoni do të jenë të pranishëm kryeministri, Kyriakos Mitsotakis dhe kryepeshkopi i Athinës dhe gjithë Greqisë, Ieronymos. Po ashtu pritet të marrin pjesë në ceremoni edhe besimtarë të shumtë dhe përfaqësues nga patriarkanat ortodokse dhe bota e krishterë më gjerë.
Kryepeshkopi Anastas Janullatos u nda nga jeta në orët e para të mëngjesit të 25 janarit. Ai ndodhej prej 30 dhjetorit të 2024-ës i shtruar në spital, fillimisht në Tiranë për shkak të një viroze stine. Më pas gjendja e tij u përkeqësua për shkak edhe të një gjakderdhjeje në sistemin e aparatit tretës, për të cilën u dërgua në Athinë më 3 janar.