I dërguari i posaçëm i Donald Trump për misione speciale, Richard Grenell përmes një postimi në “X” ka reaguar lidhur me shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës nga presidentja, Vjosa Osmani. Grenell e ka cilësuar këtë si një lajm të shkëlqyer duke theksuar se kjo është një përgatitje për rikthimin e ish-presidentit, Hashim Thaçi.
Ndër të tjera, Grenell shton se Thaçi duhet të kandidojë për kryeministër pasi Kosova pritet të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme për shkak të ngërçit të radhës politik me të cilën po përballet vendi.
“Lajm i shkëlqyer. Zoti po na përgatit të gjithëve për kthimin e Hashim Thaçit. Thaçi për Kryeministër”, shkruan Grenell.
Reagimi i tij erdhi pasi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani njoftoi të premten se ka nxjerrë dekret për shpërndarjen e Kuvendit dhe thirrjen për zgjedhjet e reja të parakohshme në vend. Osmani gjatë fjalës së saj për mediat theksoi se ky vendim erdhi pasi deputetët nuk përmbushën detyrimin kushtetues për zgjedhjen e presidentit brenda afatit.




