Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë u ka bërë thirrje të gjitha palëve në Kosovë që t’i respektojnë ligjet e vendit dhe t’i ndjekin procedurat e duhura ligjore.
Këtë qëndrim, ajo e dha për Radion Evropa e Lirë, kur u pyet në lidhje me zhvillimet e fundit në Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), që kulmuan me shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Më 20 nëntor, anëtarja e KPK-së, Jehohna Grantolli e ka propozuar shkarkimin e Kelmendit, pas raportimeve në një media lokale në Kosovë kinse ai kishte bashkëpunuar më 1999 me një gjyqtare serbe për rastin e Masakrës së Reçakut, të cilën gjyqtarja e konsideronte ngjarje të trilluar.
Kelmendi e ka mohuar bashkëpunimin në atë rast, ndërsa vendimin për shkarkimin e tij e ka konsideruar të paligjshëm, duke thënë se është marrë në mungesë kuorumi, prandaj do ta vazhdojë punën në këtë institucion.
Në linjë me qëndrimin e tij kanë qenë edhe disa anëtarë të KPK-së, në mesin e tyre Visar Krasniqi, sipas të cilit çdo vendim i marrë në mungesë kuorumi “është inekzistent” dhe që propozimi për shkarkimin e Kelmendit bazohet “në një energji të qartë të një puçi institucional”.
KPK-ja i ka 13 anëtarë, ndërsa për shkarkimin e Kelmendit kanë votuar pesë prej tyre. Sipas rregulloreve, kuorumi sigurohet me gjashtë anëtarë.
Të njëjtën ditë, në vendin e Kelmendit është emëruar Agron Qalaj.





