Teksa Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pritet që të mbyllë vetingun për 5 kandidatët përfundimtarë të SPAK, Kolegji i Posaçëm i Apelimit po avancon me emrat e ankimuar. Nga të gjithë kandidatët në Prokurorinë e Posaçme, Komisioneri Publik i është drejtuar Apelit për Besnik Muçin dhe Manjola Kajanën. Më 1 tetor mbahet seanca e radhës për Muçin, ndërkohë që është regjistruar çështja dhe për Kajanën.
Kjo do të thotë se emrat finalë për Prokurorinë e Posaçme shumë shpejt do të jenë gati. Në faqen zyrtare, KPA ka bërë të ditur emrat e trupës gjyqësore, që do të merren me çështjen e Manjola Kajanës. Kryesuese e çështjes do të jetë Natasha Mulaj, me relator Luan Daci dhe anëtarë Ardian Hajdari, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz. Pas ankimimit nga komisioneri publik, pritet vendimi i Apelit, nëse do të lërë ende në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit apo do e rrëzojëatë. Por Manjola Kajana është një emër i njohur për publikun, pasi ka në dorë një padi ndaj presidentit Ilir Meta, ish kryeministrit Sali Berisha dhe disa zyrtarëve të tjerë. Bëhet fjalë për një padi të dorëzuar nga juristi Romeo Kara, sa i takon skandalit CEZ-DIA. Pak kohë më parë, përmes një postimi në rrjetet sociale, Kara akuzoi Kajanën se po pengon çështjen në fjalë. Juristi u shpreh se Kajana ushtroi presion ndaj tij për të tërhequr padinë që fundos Metën dhe Berishën. “Disa javë pasi unë dorëzova këtë kallëzim, prokurorja e çështjes, Manjola Kajana më dërgoi një shkresë ku kërkonte paraqitjen time pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, për të bërë deklarimet e duhura në mbështetje të kallëzimit. Kërkesa ishte bërë për t’u paraqitur brenda ditës. Që në momentin e parë të mbërritjes në zyrën e saj, kjo prokurore mu hakërrua duke përdorur pastër dhe pa doreza presionin kundër meje. “Ke parë ti korrupsion me sytë e tua”, më tha. Ke parë ti të jepen e të merren para? Nuk ka korrupsion pa këto detaje, më tha, përndryshe do mbash përgjegjësi, më tha. Shkruaj çfarë unë po deklaroj, pa asnjë ndryshim, se për të tjerat mbaj unë përgjegjësi, i thashë. Po ashtu shtova: Unë as që e kam ndërmend të intimidohem prej teje i thashë, dhe po lodhesh kot duke më bërë presion mua”, u shpreh juristi Romeo Kara, pak kohë më parë.
Apeli vendos për Besnik Muçin
Po ashtu, Komisioneri Publik ka ankimuar edhe vendimin e KPK për prokurorin e Krimeve të Rënda, Besnik Muçin. Çështja e tij do të kryesohet nga Sokol Çomo, me relator Artan Hajdari dhe anëtaret Albana Shtylla, Rezarta Schuetz dhe Natasha Mulaj. Seanca për Besnik Muçin do të mbahet në datën 1 tetor. Procesi në KPA duket se është pengesa e fundit në karrierën e prokurorit të Krimeve të Rënda, i cili synon njëherazi karrigen në Gjykatën Kushtetuese ose një vend në SPAK. Muçi u konfirmua në detyrë në gusht të vitit 2018, por vendimi i KPK u ankimua në Kolegj nga Komisioneri Publik për kriterin e pasurisë. Komisioneri Publik kontestoi kursimet prej 200 mijë lekësh që shërbyen si burim për blerjen e një apartamenti si dhe huatë e marra nga familjarët; nga babai 5 milionë lekë, nga xhaxhai 3 mijë euro dhe nga motra 6 mijë euro. Pikëpyetje u ngritën gjithashtu edhe për një hua prej 15 mijë eurosh nga baxhanaku. Po ashtu Komisioneri thotë se ishin disa lëvizje bankare të cilat KPK nuk i kishte hetuar në mënyrë shteruese. Sipas tij, ndërsa kishte marrë hua nga motra në vitin 2006, në të njëjtën periudhë (2005-2007) Muçi ka derdhur në llogari të kësaj të fundit me përshkrimin “pagesë për studime” 11 mijë euro, ndërsa më vonë ishin tërhequr me prokurë 5 mijë euro. Pasi rrëzon huatë si të ardhura të ligjshme, Komisioneri arsyeton se Muçi nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme për të jetuar në vitet 2003, 2004, 2005, 2006 dhe 2016. Sipas tij prokurori në këto vite “gjendet në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të pasurisë, duke rezultuar kështu për këto vite me pasuri apo të ardhura më të mëdha nga sa mund të justifikohen ligjërisht sipas nenit D/3, të aneksit të Kushtetutës”. /Elisjeda Kiko