Kolegji i Posaçëm i Apelimit konfirmoi sot në detyrë prokurorin e Tiranës Valentin Preçi. Me shumicë votash KPA la në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit
Ndërkohë Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani, si palë në procesin e vetting-ut dhe ONM kishin kërkuar shkarkimin e Preçit. Trupi gjykues përbëhej nga Ina Rama kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz dhe Sokol Çomo anëtarë.
Ina Rama dhe Sokol Çomo kanë votuar kundër konfirmimit në detyrë të Preçit, duke qenë në të njëjtën linjë me Dumanin, i cili nuk ishte në seancën e shpalljes së vendimit.
Preçi u konfirmua në detyrë më 10 janar të vitit 2024 me shumicën e votave të trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, që kreu procesin e rivlerësimit të tij. Bazuar në një rekomandim të ONM-së, ish-Komisioneri Publik, Florian Ballhysa kërkoi shkarkimin për probleme në të tre kriteret e rivlerësimit, atë të pasurisë, pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Në seancat dëgjimore drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani u qëndroi shkaqeve të ankimit si dhe parashtroi qëndrimin për gjetjen lidhur me komunikime të prokurorit Preçi me Arben Frrokun, disa muaj para një udhëtimi që kanë kryer së bashku e më vonë me vëllain e tij Mark Frroku, si dhe kërkoi përfundimisht shkarkimin e këtij subjekti rivlerësimi për probleme në të tre kriteret.
Dumani konstatoi se prokurori Preçi gjendet në mungesë të burimeve financiare të ligjshme dhe se ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm të pasurisë. Konkluzionet lidhen me një apartament e një garazh në Tiranë; me shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, SHBA, të bashkëshortes; si dhe mbi pretendimet për mbulimin e disa shpenzimeve nga babai i kësaj të fundit, për shlyerjen e disa kësteve të një kredie. Sipas Dumanit, subjekti nuk arriti të provojë plotësisht burimet që kanë shërbyer për apartamentin dhe garazhin në kryeqytet.
Njoftim vendimi i KPA
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Mimoza Tasi relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 19/2024, datë 29.05.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 730, datë 10.01.2024.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “a” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, me shumicë votash, vendosi:
· Lënien në fuqi të vendimit nr. 730, datë 10.01.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit të rivlerësimit Valentin Preçi.
· Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.
U shpall sot, në Tiranë, më datë 26.02.2025.