Të korruptuarit e sistemit të drejtësisë duket se nuk do e kenë të lehtë t’ia hedhin vetingut. Deri më tani 21 persona janë shkarkuar nga detyra, por shumë të tjerë ndodhen në Apel dhe lista mund të zgjatet. KPK ka nxjerrë së fundmi në faqen zyrtare në internet vendimet për një sërë emrash të shkarkuar dhe ka treguar gjithë skemën që është ndjekur për të zbuluar shkeljet e tyre. Që në seancat dëgjimore u konstatua se kishte një përplasje mes KPK dhe Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.
Ky i fundit dërgoi raporte të pastra për shumë emra, por që më pas u zbuluan me dhjetra shkelje. Një ndër ta është dhe Tom Ndreca, ish-anëtar i Gjykatës së Lartë. Dje ka dalë vendimi i KPK për të dhe po aty është treguar skema që është ndjekur për të zbuluar shkeljet e tij, por dhe të emrave te tjerë. Konstatimi i parë i KPK për shumë gjyqtarë dhe prokurorë është se ata kanë bërë deklarime të ndryshme gjatë viteve pranë ILDKP, krahasuar me dorëzimin e formularit të vetingut. Të gjithë të shkarkuarit kanë deklaruar pasuri që prej vitit 2003 e deri më sot. Por shumë prej tyre në deklarimin që u bë në 2016 në kuadër të vetingut kanë deklaruar pasuri dhe objekte të tjera që ndër vite nuk i kanë deklaruar. I tillë është dhe rasti i Tom Ndrecës.
Ai ka mospërputhje në deklarimin e vlerës së një banese. Në vitin 2003 është deklaruar se ajo është shitur 80 mijë lekë, ndërsa në deklarimin e vetingut figuron 550 mijë lekë. Një tjetër mospërputhje ka të bëjë me shumat e marra borxh te motrat dhe vëllezërit. Një herë ka deklaruar 800 mijë lekë dhe një herë 900 mijë lekë. Po ashtu mospërputhje ka dhe për blerjen e një garazhi dhe pasurive të tjera. Ky është gabimi që kanë bërë shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi kanë bërë deklarime kontradiktore me ato se çfarë kanë deklaruar ndër vite.
Fshehja e pasurive
Përveç deklarimit të pasurive me vlera të ndryshme ndër vite dhe në formularin e vetingut, KPK ka zbuluar dhe pasuri të fshehura. Ka shumë emra që kanë pasur prej vitesh në pronësi makina dhe apartamente dhe për të parën herë i kanë deklaruar në formularin e vetingut. Në rastin e Tom Ndrecës bëhet fjalë për dy makina që ai i ka fshehur. Por një tjetër element që ka çuar në zbulimin e pasurive janë kompanitë ku njerëzit e drejtësisë kanë blerë apartamentet. KPK ka marrë informacione dhe dokumente prej tyre dhe ka vënë re mospërputhje. Në rastin e Ndrecës në një kontratë që ai ka firmosur me një firmë ndërtimi, thuhet se apartamenti është blerë 6 milionë lekë. Aty thuhet se 1 mln lekë janë dhënë cash, ndërsa pjesa tjetër shlyer nga kreditë. Por KPK ka zbuluar se nuk ka marrë kredi.
Pra skema që kanë ndjekur shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve është se kanë tentuar të justifikojnë blerjen e pasurive të shumta përmes kredive, por KPK ka zbuluar se dhe me marrëveshjet me bankat ka pasur shumë mashtrime. Mjaft emra kanë marrë kredi duke falsifikuar dokumente. Por nga ana tjetër, bankat i kanë fundosur dhe sa i takon llogarive bankare. Disa emra nuk kanë deklaruar të gjitha llogarit, por nga verifikime pranë bankave, ka rezultuar se ata kishin shumë para aty. KPK ka arritur të zbulojë pasuri dhe me ndihmën e komshinjve dhe të afërmve të emrave të verifikim. Falë fqinjëve janë zbuluar mashtrimet me vlerat e apartamenteve.
Mësohet se janë pyetur shumë subjekte të një pallati se sa i kishin blerë apartamentet. Pas kësaj ka rezultuar që disa gjyqtarë e prokurorë i kanë blerë shumë lirë, ndërkohë që të gjithë fqinjët me të, shumë shtrenjtë. Po ashtu janë marrë në pyetje dhe të afërm të tyre mbi borxhe të caktuara, ku ka pasur mospërputhje në deklarata. Këto ballafaqime ILDKP nuk i ka zhvilluar, pasi thjesht ka bërë kontroll të deklaratës, por KPK ka lëvizur çdo dokument dhe ka zbuluar të gjitha aferat./Kliti TOPALLI