Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar ditën e djeshme nga detyra dy gjyqtarë, të cilët nuk kanë justifikuar pasurinë. Bëhet fjalë për gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi dhe gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Bledar Abdullai.
Fillimisht, komisioni ka marrë vendimin për anëtarin Gjykatës së Lartë të Tiranës, duke mos e rikonfirmuar në detyrë, referuar komponentëve të pastërtisë së figurës. Sipas KPK-së, gjyqtari i Selimi, kishte dy kontakte me individë të pa papërshtatshëm dhe që dyshohet të jenë pjesë e krimit të organizuar.
Kështu, një kontakt ishte sjellë nga DSIK, në të cilin nënvizohej fakti se shtetasi F.D, i cili ishte mik me gjyqtarin, sipas raportit, rezultonte problematik me policinë dhe drejtësinë.
Ndërsa kontakti i dytë i papërshtatshëm ishte sjellë nga ONM-ja, e cila referonte se Shkëlzen Selimi kishte ndihmuar që personi me inicialet A.I. në kërkim nga Italia për trafik kokaine të mos ekstradohej. Ky shtetas sipas zbulimeve të ONM rezulton i dënuar për grup kriminal dhe trafik kokaine.
Vetë gjyqtari gjatë seancës së kaluar e quajti procesin të manipuluar e të paragjykuar që në fillim dhe u largua nga seanca dëgjimore. Ndërsa nuk mori pjesë as në seancën e djeshme të vendimmarrjes.
KPK shkarkon Abdullain
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka marrë dje vendimin për gjyqtarin e Gjykatës së Tiranës, Bledar Abdullai duke e shkarkuar nga detyra. Pas seancës dëgjimore të zhvilluar ditën e enjte, trupa gjykuese është shprehur se Bledar Abdullai ka fshehur pasurinë si dhe ka tejkaluar afatet për gjykimin e çështjeve në disa raste. Sipas KPK, prindërit e Bledar Abdullait janë investitorë të një fondi tek një bankë e nivelit të dytë, por nuk i justifikojnë të ardhurat.
Por problemet më të mëdha për gjyqtarin e Tiranës janë zbuluar tek bashkëjetuesja e tij. Pas hetimeve të KPK, bashkëjetuesja e gjyqtarit nuk justifikon një shtëpi në Golem; disa llogari në emër të saj konkretisht 90 mijë dollarë, 130 mijë euro; një apartament të blerë në Tiranë, një zyrë dhe një garazh me vlerë totale 187 mijë euro. Gjatë seancës dëgjimore, gjyqtari u justifikua se bashkëjetuesja e tij këto para i ka nga bizneset dhe trashëgimi nga familja. Gjithashtu, KPK ka konstatuar se gjyqtari i Tiranës ka liruar një të burgosur të arrestuar për drogë. Gjyqtari i ka dhënë masën arrest shtëpiak, ndërkohë që Apeli i Tiranës e ka rikthyer në burg këtë person. Tjetër shkelje e tij, është tejkalimi i afateve për disa çështje civile, duke i zgjatur ato më shumë se 1 vit e gjysmë pa arsye. Edhe në këtë rast gjyqtari është justifikuar se ka ndodhur për shkak të ngarkesës në punë.
Seanca për Bicin
Para trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dje në seancë dëgjimore doli edhe Medi Bici, i cili është anëtari i fundit i Gjykatës së Lartë që u përball me procesin e vetingut. Bici zgjodhi të jetë vetë prezent duke mos u përfaqësuar nga një avokat, ndërsa KPK evidentoi faktin se gjyqtari i lartë ka probleme me pasurinë. Sipas raportit të ILDKP-së, Bici rezulton me pasaktësi, deklarim të rremë, fshehje dhe mosjustifikim pasurie.
Ndërsa sipas hetimit të KPK-së, të paqarta për të ishin burimet e financimit për ndërtimin e një vile 4 katëshe në Tiranë dhe 10 mijë euro të marra nga vëllai i tij, me argumentin për të shkolluar fëmijët. “Pas hetimit të bërë nga KPK rezulton se Bici në pronësi të tij ka: një vilë 4 katëshe në Tiranë, me sipërfaqe 430 m2, ndërtuar në vitet ‘93-‘96 si objekt pa leje dhe legalizuar në 2011, për të cilën ka mospërputhje në deklarata për sipërfaqen, katet dhe vlerën e investimit; tokë bujqësore në Manëz me sipërfaqe 2 mijë m2; autoveturë Craisler me vlerë 10 mijë euro dhe llogari bankare 1.8 mln lekë kursime”, deklaroi KPK./ Rigels SELIMAN