Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pritet që të vendosë një precedent sa i takon angazhimit të personave “non grata” në politikë.
Të enjten Prokuroria e Përgjithshme mbylli verifikimet për kreun e Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi, i cili u shpall i padëshiruar nga amerikanët. Ditën e djeshme në një konference për mediat kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi deklaroi se kjo çështje do të merret në shqyrtim nga KQZ pasi kontributor është edhe prokuroria.
“Po patjetër, çdo dokument që lidhet me procesin e verifikimit të kandidatëve i bërë ky në rastin kur kontributor është edhe Prokuroria do të marri vlerësimin dhe konsiderimin e institucionit të KQZ-së. Do t’i marrim në shqyrtim të dhënat që na kanë ardhur për Tom Doshin”, tha ai.
Pra nëse Komisioni Qendror i Zgjedhjeve merr një vendim për precedent lidhur me personat “non grata” si në rastin e Doshit, do të zbatohet edhe në vijim për të gjithë të shpallurit të padëshirueshëm nga amerikanët. Vendosja e një precedenti të tillë rrezikon të parin ish-kryeministrin Sali Berisha i cili mund të humbasë mandatin e deputetit.
Celibashi: Do të merren masa penale për shkeljet në zgjedhje
Nga ana tjetër kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi foli po ashtu edhe për verifikimin paszgjedhor të fletëve të votimit. Celibashi tha në procesin e identifikimit elektronik, janë vënë re plot 1006 raste të dyshimta të regjistruara si shkelje.
Ai u shpreh se në qendra të ndryshme votimi ka pasur persona të paraqitur me të njëjtin identitet për të votuar sërish si dhe janë regjistruar 224 raste të shenjave të gishtave të cilat janë skanuar më shumë se një herë. Celibashi tha se në 41% të fletëve të votimit, të cilat janë shpallur të pavlefshme, gabim ka qenë fakti se është votuar më shumë se një subjekt zgjedhor ose është votuar për një subjekt zgjedhor dhe për kandidatin e një subjekti tjetër me shënime që pamundësojnë vlerësimin e votës.
Lidhur me masat që do të merren ndaj këtyre shkeljeve kreu i KQZ deklaroi se KQZ në rast shkeljesh penale do t’i drejtohet gjykatës. “KQZ do të bëjë një vlerësim të natyrës të parregullsive të evidentuara. Me siguri në ato raste, sidomos sa i përket procesit të të identifikimit elektronik ku kemi konstatuar shenja gishti të lidhura me më shumë se një dokument identifikimi do të kenë një verifikim më të thelluar nga ana e KQZ.
Por mund ta them që në krye të herës, ato raste në të cilat shenjat e gishtit janë gjetur në 2 QV të ndryshme votimi meritojnë adresimin e kësaj çështje tek organi i prokurorisë për hetim penal dhe do të jenë ata të cilët do të vendosin nëse jemi përpara një vepre penale, apo jemi përpara një gabimi njerëzor, apo gabimi teknik. Nga pikëpamja administrative, ka shkelje të rënda dhe do të ketë masa administrative, ndërsa në rast të shkeljeve penale, do t’i drejtohemi gjykatës. Por kemi përcaktuar se këto gabime janë dukshëm të nivelit teknik”, tha Celibashi./Aleksandra Hoxhaj